
Krasniqi takohet me Sorensenin, flasin për domosdoshmërinë e themelimit të institucioneve të reja
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se gjatë bisedës me Sorensenin ka theksuar nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë.
Ai gjithashtu theksoi se të dërguarit të BE-së i ka shprehur shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, si dhe për ndikimin negativ që këto veprime kanë në përpjekjet për paqe dhe stabilitet.
“Po ashtu, nënvizova domosdoshmërinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe legjitime, si parakusht për kthimin e besimit dhe funksionalitetit demokratik në vend. Vetëm atëherë, procesi i dialogut mund dhe duhet të marrë drejtimin e duhur, përmes një qasjeje të drejtë, të koordinuar dhe me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare. PDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës, reformave demokratike dhe vlerave euroatlantike, dhe është mirënjohëse për rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces”, shkroi Krasniqi.