
Kosova pranohet si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale
Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale (EAfA) duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke e cilësuar si një arritje të jashtëzakonshme, pasi siç thuhet anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin e kësaj ministrie për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.
“Synimet tona përfshijnë: Përfshirjen aktive të sektorit privat; Zgjerimin e ofrimit të arsimit dual në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat; Integrimin gradual të arsimit dual në AAP-në e vazhdueshme për të mbështetur riaftësimin e të rriturve; Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive, Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale”, thuhet në njoftim.
Sipas MASHT-it, përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë që të ftojë për anëtarësim organizata dhe institucione të tjera, si: IAAP, oda e shoqata sektoriale, përfaqësues të sektorit privat, partnerë social, të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.
“EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit: praktika profesionale cilësore dhe efektive, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë, pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje. Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune”, bëhet e ditur në njoftim.
Anëtarësimi i Kosovës në EAfA thuhet se i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën e Kosovës si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane.
“Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA”, thuhet në fund.