Drejtuesit e OVL UÇK-së priten në Ambasadën e Gjermanisë
Foto: Laura Hasani

Drejtuesit e OVL UÇK-së priten në Ambasadën e Gjermanisë

Aktuale August 01, 2025 - 15:30

Një delegacion i OVL UÇK-së, i kryesuar nga kryetari Hysni Gucati, është pritur në takim në Ambasadën Gjermane nga zëvendësshefi i Misionit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher.

Organizata tha se Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë “me fat që kanë një mik të madh si Gjermania, një shtet me rol të pazëvendësueshëm në çlirimin dhe ndërtimin e vendit tonë”.

“E falënderojmë zëvendësshefin e Misionit për mikpritjen dhe për gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet tona lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë. Njëkohësisht, kërkuam mbështetje nga shteti mik Gjermania, për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë të akuzuarit”.

Gjykata Speciale ka marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve në prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilat kanë ardhur nga Serbia.

Kundër Gjykatës Speciale është paralajmëruar për nesër një protestë në Prishtinë, e cila pritet të fillojë nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu”.