
Ambasada e Amerikës: Liderët e Kosovës të gjejnë zgjidhje kushtetuese në javët e ardhshme
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se udhëheqësit politikë duhet t’i shfrytëzojnë javët në vijim për të gjetur një zgjidhje që siguron udhëheqje të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën.
Një zëdhënës Ambasadës shtoi se, përveç tjerash, ngërçi politik që ka përfshirë vendin po vonon progresin drejt aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të saj.
“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Klankosova.tv.
Ndërkohë, as pas 55 seancave nuk është arritur formimi i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çdo veprim të deputetëve, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.