Më 7 gusht, protestë kundër Gjykatës Speciale
Foto: Laura Hasani

Më 7 gusht, protestë kundër Gjykatës Speciale

Aktuale July 28, 2025 - 15:23

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së paralajmëroi se më 7 gusht, në orën 17:00, do të organizohet në Prishtinë një protestë gjithëpopullore në përkrahje të ish-luftëtarëve që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Hysni Gucati nga kjo organizatë tha në konferencë për media se do të organizojmë protestë për shokët e tyre.

“Do të protestojmë kundër Dhomave të Specializuara që po shkelin gjithë të drejtat janë dy raste që gjykata po përdor njerëz për të ndikuar në proces duke përgjuar shokët tanë”, tha Gucati.

Ndërsa Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, tha se aktakuza ndaj luftëtarëve të UÇK-së është e padrejtë dhe e ndërtuar nga një gjykatë që, sipas tij, nuk duhet të ekzistonte.

Ai tha se protesta është e domosdoshme për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së.

“Duke e shikuar dhe duke parë edhe ligjin të gjitha ata që kanë marrë armën dhe i janë përgjigjur luftës janë brenda një aktakuze të padrejtë nga një gjykatë. Protesta do të thirret që të shprehim kundërshtimet tona, duke kërkuar drejtësi. Lufta e drejtë po atakohet në të gjitha mënyrat. Na detyron që të kërkojmë edhe nga institucionet sikur të kishim institucione kredibile që çmojnë luftën e drejtë dhe të pastër kjo gjykatë është dashur të jetë inekzistente. Ata po mbahen padrejtësisht. Shpresojmë që do ta thotë fjalën përfundimtare, krerët do të kthehen faqebardhë dhe ta kryejnë punën që e kanë lënë, sepse Kosova ka nevojë për ta. Lufta e UÇK-së e ka sjellë lirinë dhe pas ardhjes së lirisë janë krijuar këto institucione dhe çdo institucion mendoj që ka obligim moral njerëzor të mbrojë vlerat dhe sakrificat e popullit”, shtoi Jashari. /eo