France Presse: Kosova në prag të një krize të paparë
Foto: Laura Hasani

France Presse: Kosova në prag të një krize të paparë

Aktuale July 25, 2025 - 18:37

Agjencia prestigjioze franceze e lajmeve, France-Presse (AFP), ka raportuar sot se Kosova ndodhet në prag të një krize të paparë politike, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit po afrohet me shpejtësi.

Deri më tani, deputetët kanë dështuar ta zgjedhin udhëheqësin e legjislativit në plot 52 tentativa që nga shkurtit, duke thelluar kështu ngërçin institucional.

AFP shkruan se nëse deri të shtunën në orën 14:00, kur është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit, Kosova do të përballet me një situatë të paqartë dhe me pasoja të paparashikueshme, për të cilat Kushtetuta nuk jep një rrugë të qartë zgjidhjeje.

“Është një situatë pa precedent. Do të mund të jetë kaos, sepse Kushtetuta nuk thotë çfarë ndodh më pas”, ka thënë për AFP-në profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Kriza ka nisur që pas zgjedhjeve parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri  në detyrë, Albin Kurti, ka fituar 48 ulëse nga 120 gjithsej, pa mundur të sigurojë shumicën absolute për të formuar qeveri dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Që atëherë, Kuvendi është mbledhur çdo dy ditë, por pa sukses në zgjedhjen e kryetarit.

Në përpjekje për ta zgjidhur këtë bllokadë, Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë më 26 qershor, duke i caktuar Kuvendit një afat 30-ditor për ta zgjedhur kryetarin. Mirëpo, një ditë para skadimit të afatit, ndarjet ndërmjet partive politike janë më të thella se kurrë, vlerëson AFP.

Tutje agjencia prestigjioze franceze shkruan se mbrëmjen e së enjtes, Gjykata Kushtetuese vendosi që deputetët të mos mund të votojnë apo të miratojnë vendime pas mesnatës të së shtunës, një ndalesë që është në fuqi deri më 8 gusht. Kjo masë ka për qëllim t’i japë kohë Gjykatës për të shqyrtuar ankesat e opozitës, e cila e akuzon partinë në pushtet për miratim të ligjeve jashtë kornizës kushtetuese.

“Ky është padyshim ngërçi më serioz, më i gjatë dhe më i rëndë në historinë e Kosovës, të paktën prej shpalljes së pavarësisë më 2008”, është shprehur Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për AFP-në. Ai shton se situata është bërë e padurueshme dhe se Kuvendi është shndërruar në “një cirk”.

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhalliu, ka theksuar se qytetarët do të jenë ata që do të paguajnë çmimin më të lartë të kësaj krize politike. “Kosova ndodhet në një situatë shqetësuese. Nën sanksione evropiane, me procesin e anëtarësimit në BE të ngrirë. BE-ja duket se e ka harruar Kosovën”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Njomza Arifi nga Grupi për Studime Politike dhe Ekonomike (GLPS), ka paralajmëruar se bllokimi institucional mund t’i kushtojë Kosovës 883 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që ka ofruar Bashkimi Evropian. Sipas saj, ka rrezik që këto fonde të ridrejtohen drejt vendeve të tjera të rajonit, nëse Kosova detyrohet të rifillojë të gjithë procesin e negocimit.

Përkundër kësaj situate të rëndë, deri më tani nuk janë parë reagime të mëdha qytetare. France-Presse përmend veprimet individuale të avokatit Arianit Koci, i cili në shenjë proteste kundër deputetëve ka ndërmarrë aksione simbolike, përfshirë rruajtjen e kokës para ndërtesës së Kuvendit dhe sjelljen e disa gomarëve për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar këtë javë Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime për hapat që duhet ndërmarrë në rast se nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit deri të shtunën në mesnatë. Tutje, AFP shkruan se kryeministri në detyrë Kurti, i pyetur të hënën se çfarë do të ndodhë nëse dështon edhe kjo tentativë, është përgjigjur shkurt: “Nuk e di”. /rtk