Çitaku kritikon Qeverinë: Të angazhohet për lirimin e njerëzve që po burgosen në Serbi
Foto: Laura Hasani

Çitaku kritikon Qeverinë: Të angazhohet për lirimin e njerëzve që po burgosen në Serbi

Aktuale July 23, 2025 - 10:48

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar që Qeveria në largim të tregojë më shumë angazhim për lirimin e ushtarëve të Kosovës, që po mbahen në burgjet serbe.

Sipas saj, rasti i ushtarëve të arrestuar është shndërruar në një ngjarje të përsëritur dhe shqetësuese, ndërsa veprimet institucionale po mungojnë.

“Ka edhe ushtarë të tjerë që mbahen në burgjet e Serbisë. Qeveria në largim duhet të jetë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për t’i përdorur mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre”, deklaroi Çitaku gjatë hyrjes në Kuvend të mërkurën.

Ajo gjithashtu kritikoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se në vend që të merret me “beteja të vogla të brendshme”, duhet të përqendrohet në trajtimin me dinjitet të ushtarëve të ndaluar.

“Ata njerëz nuk janë pa atdhe dhe nuk duhet të trajtohen si të tillë”, ka thënë Çitaku.

Gjatë ditës së djeshme, mediat serbe kanë raportuar se ish-ushtari i UÇK-së, Lulzim Halili, është arrestuar në Serbi dhe është ndaluar për 48 orë. Nga Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kanë konfirmuar ende rastin.