Kthehet rektori Zejnullahu

Kthehet rektori Zejnullahu

Aktuale tetor 27, 2015 - 07:51

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, i cili javën e kaluar u shkarkua nga posti nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së, ka njoftuar të hënën se përkundër të gjitha ndodhive, ka vendosur që të mbetet në krye të Universitetit deri në përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme në këtë institucion publik.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga vetë rektori Zejnuallahu, i cili thotë se shkarkimi i tij ka qenë “veprim i planifikuar me muaj të tërë”, me qëllim të ndërprerjes së procesit të vënies së rregullit në UP. Ai, sidoqoftë, ka njoftuar se do të qëndrojë në krye të UP-së derisa ky proces të përfundojë.

“Shkarkimi im nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës që ndodhi të mërkurën ishte një veprim i planifikuar me muaj të tërë, i cili nuk u realizua plotësisht sipas skenarit. Sado që bënë përpjekje t’i sjellin “argumentet” e tyre, ata që kërkuan dhe e kryen shkarkimin kishin një arsye të vetme – të ndërpritet procesi i vënies së rregullit në Universitet dhe të rikthehet situata e cila ka dominuar në 15 vitet e fundit”, thotë rektori Zejnullahu në komunikatën e dërguar.

Ai thotë se anulimi i vendimit për shkarkim nga ana e ministrit për Arsim dhe dënimin e këtij akti, e sheh si një mbështetje për punën e bërë. Ndër të tjera Zejnullahu ka përshëndetur vendimin e ministrit Arsim Bajrami për zgjedhje të parakohshme në Universitetin e Prishtinës.

“Nga ana tjetër, me aktin e shkarkimit, edhe pse të zhvlerësuar nga aspekti juridik, është vënë në pikëpyetje legjitimiteti i të gjitha organeve të Universitetit: Këshillit Drejtues, Senatit, rektorit, këshillave të fakulteteve, dekanëve, Parlamentit Studentor dhe bartësve të tjerë të funksioneve. Prandaj, edhe konsideroj se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme është rruga e vetme për ta tejkaluar situatën e krijuar”, thotë Zejnullahu në komunikatë.

Këtë reflektim nga ana e ministrit Bajrami, rektori Zejnullahu e sheh të arsyeshme që t’i kthehet edhe një herë punës në Universitetin e Prishtinës pavarësisht pengesave. Ai premton se do të vazhdojë në respektimin e ligjshmërisë dhe standardeve akademike në UP. “Do të punojmë aq sa na lejojnë kushtet për t’i adresuar problemet aktuale dhe për të krijuar kushte për zgjedhje të ndershme”, thotë Zejnullahu.

Sipas rektorit, ndryshimi thelbësor në UP, është i nevojshëm dhe kjo nuk mund të arrihet pa u krijuar një masë kritike e njerëzve të gatshëm që të punojnë me përkushtim për një universitet më të mirë. Zejnullahu ndër të tjera në komunikatë thotë se kjo kërkon pjesëmarrje më aktive në dialog rreth çështjeve aktuale në Universitet, por edhe qëndrim të përgjegjshëm me rastin e zgjedhjes së përfaqësuesve të personelit akademik dhe të studentëve.