
Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar një vendim të ndërmarrë gjatë mandatit të tij në vitin 2017 për lirimin nga detyra të disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët sapo kishin fituar mandatin si deputetë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës edhe në mungesë të ligjeve specifike.
Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook thekson se këtë veprim e kishte marrë në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore në atë vit.
“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendëskryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, qëllimi nuk ishte të tregohej si shembull i zbatimit të Kushtetutës, por të shmangej shkelja e saj.
“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”, ka shkruar Mustafa.
Ish-kryeministri shton se të gjithë zyrtarët e liruar nga detyra në atë kohë e kishin kërkuar vetë largimin për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë dhe për të shmangur
mospërputhshmëri kushtetuese.
Ai rikujton se në atë kohë mungonte Ligji për Qeverinë, por tashmë ekziston një bazë e qartë ligjore.
“Edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bën ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, shprehet Mustafa.
Mustafa ka shprehur shqetësim për qëndrimin në pushtet në kundërshtim me Kushtetutën dhe paralajmëron përgjegjësi ligjore.
“Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime, por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka shkruar Mustafa.