
Dështoi edhe përpjekja e sotme për konstituimin e Kuvendit
Për herë të 49-të ka dështuar përpjekja për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Në sallë kanë qenë gjithsej 90 deputetë, ku 50 prej tyre votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vota këto të cilat nuk mjaftuan që t’i hapet rrugë formimit të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Janë PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja partitë të cilat po e kundërshtojnë këtë formë të votimit.
Pas kësaj, kryesuesi Avni Dehari, theksoi se vazhdimi i seancës do të mbahet më 21 korrik (e hënë), me fillim prej orës 11:00, raporton Zeri.info.
Theksojmë se Nisma Socialdemokrate, tashmë ka konfirmuar se ka ofruar gatishmëri për të dalë nga ky ngërç politik dhe se gjatë ditës së sotme pritet të ketë një takim mes Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Fatmir Limajt të Nismës.
Para fillimit të seancës, deputetja e Nismës, Xhevaire Izmaku, tha se pret që takimi i sotëm të sjell rezultate pozitive. /Zëri