
IKD-ja reagon ndaj sulmeve të Qeverisë në detyrë kundrejt gjyqësorit, pas vendimit të Gjykatës Supreme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj sulmeve të Qeverisë në detyrë kundrejt gjyqësorit pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, me të cilin është vendosur se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr. 01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, është i paligjshëm dhe i njëjti u shfuqizua. IKD-ja e konsideron krejtësisht të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë.
Sipas IKD-së, kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional.
“Për më tepër, IKD-ja e konsideron tejet të rrezikshme qasjen e z. Hekuran Murati, duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër. Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur. Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme”, thuhet në komunikatë.
Andaj, IKD-ja rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë.
Sipas Supremes, ky aktgjykim krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë.
IKD-ja vlerëson se Gjykata Supreme me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
“Kësisoj, udhëzimi administrativ është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale. IKD-ja fton të gjithë përfaqësuesit institucionalë që të respektojnë integritetin e vendimeve gjyqësore dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që synon të ulë autoritetin e gjykatave. Vetëm përmes një gjyqësori të pavarur dhe funksional mund të garantohet siguria juridike dhe sundimi i ligjit”, thuhet në fund.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 16 korrik 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron krejtësisht të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë kundër aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës me të cilin është vendosur se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr. 01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, është i paligjshëm dhe ka vendosur për shfuqizimin e tij.
Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional.
Për më tepër, IKD-ja e konsideron tejet të rrezikshme qasjen e z. Hekuran Murati, duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër. Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur.
Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme. IKD-ja rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë.
Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë.
IKD-ja vlerëson se Gjykata Supreme me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Kësisoj, udhëzimi administrativ është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale.
IKD-ja fton të gjithë përfaqësuesit institucionalë që të respektojnë integritetin e vendimeve gjyqësore dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që synon të ulë autoritetin e gjykatave. Vetëm përmes një gjyqësori të pavarur dhe funksional mund të garantohet siguria juridike dhe sundimi i ligjit.