Shkarkohet rektori, plasin protestat

Aktuale tetor 22, 2015 - 05:29

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas shumë përpjekjesh, ia arriti qëllimit që ta shkarkojë nga detyra rektorin Ramadan Zejnullahu, i cili fitoi mbështetjen vendore e ndërkombëtare për guximin e tij për reformimin e UP-së.

Vendimi për shkarkimin e rektorit ka trazuar opinionin kosovar, ndërsa shoqëria civile ka paralajmëruar për të enjten, në orën 11:00, protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Megjithatë, neni 32 i Statutit të UP-së i jep mundësi rektorit që të ankohet, ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka fjalën e fundit për shkarkimin apo jo të tij. Pas vendimit për shkarkimin e rektorit, janë hapur edhe shumë faqe në rrjetet sociale ku është bërë thirrje për protesta e përkrahje për Zejnullahun.

Rektori është shkarkuar me gjashtë votat e anëtarëve, shumica nga të cilët janë militantë partiakë: Fevzi Berisha, Alberta Troni, Kemajl Bislimi, Shefkie Islamaj, Zeqir Veselaj, e Beqir Sadikaj. Tre nga gjashtë anëtarët që votuan shkarkimin e rektorit janë pjesë e partive politike në Kosovë.

Fevzi Berisha anëtari i 63-të në listën e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alberta Troni ishte kandidate e LDK-së për deputete në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por nuk arriti të futet në Kuvend.

Beqir Sadikaj ishte kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).Kurse Sadikaj, bashkë me Veselajn janë akuzuar për plagjiaturë.

I vetmi anëtar që ka lëshuar mbledhjen në shenjë proteste duke akuzuar se këta gjashtë anëtarë janë bërë grupacion për shkarkimin e rektorit, Ismet Salihu anëtar i KD-së nga radhët e Ministrisë, ka akuzuar se rektorit i është kurdisur shkarkimi.

Nuk ka pasur abuzime, iu kurdis shkarkimi 

Sipas tij, prej muajsh është përgatitur skenari për largimin e rektorit. Ai ka thënë se prapa këtij skenari qëndrojnë struktura që duan ta vazhdojnë shkatërrimin e UP-së duke sjellë në krye të këtij Universiteti njeriun e vet. 

Salihu ka thënë se shkarkimi i rektorit është një vendim jo i mirë për Universitetin për Kosovën. Ai ka paralajmëruar se ky vendim do të ketë refleksione negative jo vetëm për Universitetin, por edhe për tërë Kosovën.

Madje, sipas tij, këto do të vijnë nga opinioni ndërkombëtar që mbështet UP-në me shumë donacione e projekte.

”Problemet në UP janë akumuluar në këto 12-15 vjetët e fundit dhe ky rektor që u shkarkua ka pasur disa lëshime, por jo të mëdha substanciale që e arsyetojnë shkarkimin e tij, por lëshime ka pasur dhe në fakultete”. Mirëpo, qëllimi këtu, sipas tij, ka qenë që gjithsesi të shkarkohet ky rektor. “Përndryshe ky vendim i tanishëm që u mor është punuar me muaj të tërë prej strukturave, prej disa personave, anëtarëve të Senatit dhe profesorëve. Qëllimi s’ka qenë i mirë. Qëllimi ka qenë që të vijnë persona të cilët, sipas meje, do ta vazhdonin atë menaxhim, atë politikë të universitetit që ka qenë deri tash e pranishme. Për mua nuk kanë qenë arsye të bollshme materiale substanciale për shkarkim, abuzime nuk ka pasur”, ka thënë Salihu.

Ndërsa, pas votimit, Shefkije Islamaj, kryetare e Këshillit, nuk u është përgjigjur akuzave të Salihut. Ajo ka thënë se ka pasur arsyet e saj që ka votuar kundër rektorit. Sipas saj, arsyeja kryesore ka qenë bllokimi i njëanshëm i punës në Universitet nga ana e Zejnullahut.

Qeveria e presidentja deklarohen kundër shkarkimit  

Rektori Zejnullahu, pas vendimit të KD-së, ka thënë se vendimi i sotëm i Këshillit nuk kishte të bënte me të dhe as me stafin e tij, por, sipas tij, me idenë e reformës dhe progresit që po e përkrah fuqishëm, si dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm.

“Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta. Besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t'u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”, ka thënë Zejnullahu.

Pas shkarkimit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka reaguar duke e quajtur shkarkimin e Rektorit veprim që e thellon krizën në Universitet dhe dëmton nismat reformuese për përmirësimin e cilësisë.

“Fatkeqësisht, organet e Universitetit, sot dështuan të veprojnë me përgjegjësi akademike dhe shoqërore, duke lejuar që kundërshtimet dhe interesat e ngushta të vihen mbi parimet dhe interesin e përgjithshëm të Universitetit”.

Edhe Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu. Ajo përmes një komunikate për media ka thënë se shkarkimi i rektorit është jo i drejtë dhe i dëmshëm për UP-në. “Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron jo të drejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës vendimin e marrë sot për shkarkimin e rektorit, Ramadan Zejnullahu”. 

Edhe presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar në lidhje me shkarkimin e rektorit Zejnullahu. Ajo ka thënë se vendimi për shkarkim është shqetësues dhe kundër angazhimit për reformim në arsimin e lartë.

“Lajmin e mirë për Kosovën nga Parisi sot e zbehu vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së për shkarkimin e rektorit Zejnullahu. Ky vendim është shqetësues, kundër angazhimit për reformimin e arsimit të lartë dhe vendosjes së kritereve të larta akademike. I jap përkrahjen time nismës së kryeministrit që ky vendim të rishikohet menjëherë. UP-ja është institucion i pavarur dhe duhet të mbetet i tillë, në mënyrë që të prodhojë vlera të ndershmërisë dhe liderë të së nesërmes, e jo vend i skandaleve e plagjiaturës”, thuhet në reagimin e presidentes. 

Analistët: Shkarkimi, fitore për zaptuesit

Shoqëria civile e ka quajtur shkarkimin e Zjenullahut fitore të grupeve të interesit, klaneve mafioze si dhe partive politike.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka reaguar lidhur me shkarkimin e rektorit Zejnullahu. Ajo ka shkruar se kjo është fitore për zaptuesit e Universitetit të Prishtinës, plagjiatorët, analfabetët, falsifikatorët, përfaqësues të politikës.

Besa Luzha, analiste, ka reaguar për shkarkimin e rektorit Zejnullahu. Ajo përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se Këshilli Drejtues i UP-së ka qenë gjithnjë vend i strehimit të njerëzve të partive ose grupacioneve të ndryshme të interesit.

Analisti politik, Berat Buzhala, ka thënë se të gjithë duhet të mendojmë për të dëbuar nga Senati, nga Këshilli Drejtues, të gjithë ata matrapazë që e dëbuan prej aty rektorin Zejnullahu.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ilir Deda, ka reaguar duke thënë se pa Zejnullahun nuk do të ketë përparim në arsim, por rehatim të atyre që blejnë gradat akademike.

Analisti politik, Halil Matoshi, ka reaguar ashpër ndaj shkarkimit të rektorit Ramadan Zejnullahu. Ai ka shkruar se në Kosovë gjithandej po fiton injoranca, që, sipas tij, po janë në shumicë. Si dhe shumë analistë të tjerë me reagimet e tyre kanë përkrahur Zejnullahun.