Profesoresha kosovare fiton çmim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Profesoresha kosovare fiton çmim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Aktuale March 25, 2025 - 18:23

Profesoresha e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Remzije Istrefi - Peci është shpallur fituese e çmimit të vitit 2024 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel global.

Ky çmim për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, siç ka bërë të ditur vetë UP-ja  jepet nga Samiti Global mbi Kushtetutshmërinë që organizohet nga Universiteti i Teksasit, i vendosur në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky çmim është i rëndësisë së veçantë për vendin tonë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës sonë dhe Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik ku unë zhvilloj aktivitetet e mia, si gjyqtare dhe si profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, tha Remzije Istrefi - Peci.

Sipas njoftimit nga UP-ja, Samiti Global, me çmimin e të cilit u nderua profesoresha e Universitetit të Prishtinës, është një konferencë ndërkombëtare që mbulon të gjitha fushat e kushtetutshmërisë. Gjatë tri ditëve sa zgjatë konferenca, mbahen ligjërata dhe panele të ndryshme diskutimi.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit të Nju Jork, profesoresha, e gjyqtarja do të mbajë ligjëratë në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbias, me temën: “Zbatimi i Konventës së Stambollit Përmes Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Konventa e Stambollit, e miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, parandalon dhe lufton dhunën ndaj grave dhe në familje.

Remzije Istrefi-Peci ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2008, ndërsa është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më 9 gusht 2018. /rtk