
Ndërroi jetë nëna e vëllezërve Xhemajli nga Komogllava e Ferizajt
Ka vdekur nëna e vëllezërve Xhemajli nga Komogllava e Ferizajt, Fatime Xhemaili.
Lajmin për vdekjen e saj ka bërë i biri, Bajrush Xhemaili, nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Ai bëri të ditur se nesër, më 24 mars 2025, në ora 11:00, do të mbahet mbledhje komemorative, në teatrin “Adriana Abdullahu” të Ferizajt, derisa varrimi do të bëhet në ora 13:00, në fshatin Komogllavë.
“Njoftojmë të gjithë familjarët, shokët, miqtë e dashamirët, se nesër, e hënë, më 24 mars 2025, në ora 11, bëhet mbledhje komemorative, në Teatrin “Adriana Abdullahu”, të Ferizajt, me rastin e vdekjes së nënës sonë Fatime Xhemaili, kurse varrimi bëhet në ora 13, në fshatin Komogllavë, në varrezat e reja të Mëhallës së Tafaliajve, ngjitas me fshatin Gërlicë”, ka shkruar Xhemaili.
Nënë Fatimja së bashku me bashkëshortin e saj, Muharremin, prej vitesh janë marrë me çështjen kombëtare.
Shtëpia e tyre në Komogllavë të Ferizajt ishte bazë e fuqishme e LPK-së, UÇK-së e UÇPMB-së.
Në shtëpinë e familjes Xhemajli u organizua dhe u zhvillua veprimtari politike dhe e armatosur çlirimtare e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga viti 1976 deri në vitin 2001.
Fatime Xhemajli ishte nëna e Mustafës, Bajrushit, Emrushit, Qamilit, Mufailit, Nazifes dhe Lumnijës.