
Gazmend Muhaxheri dorëzon mandatin e deputetit: Do të mbes në Komunë
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Këtë e ka konfirmuar vetë Muhaxheri.
“Sapo e dorëzova dorëheqjen, sepse do të mbes në Komunë”, tha shkurt Muhaxheri.
Kryetari i Pejës në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi mandatin e deputetit, duke marrë plot 25 mijë e 942 vota.
Përveç Muhaxherit, edhe Imri Ahmeti që udhëheq me Lipjanin ka fituar mandatin e deputetit.
Telegrafi ka kontaktuar edhe Ahmetin për të marrë një qëndrim, por i njëjti nuk është përgjigjur.
KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas më shumë se një muaj nga mbajtja e tyre.
Sipas këtyre rezultateve, në zgjedhjet e 09.02.2025 kanë marrë pjesë 966.283 votues, ose 46.54 %. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396.787 vota, ose 42,30%, PDK-ja është renditur e dyta me 196.474, ose 20.95%, LDK-ja e treta me 171.357, ose 18.27%, AAK-Nisma me 66.256 vota, ose 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV-ja me 48 deputetë, PDK-ja me 24 deputetë, LDK-ja me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë etj.