26 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës, të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin e përjetuar

26 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës, të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin e përjetuar

Aktuale March 13, 2025 - 23:51

Tash e 26 vjet ka mbetur në karrocë. Kjo është Sadije Strana Musliu, që kishte humbur këmbët e njërën dorë në masakrën e vitit 1999 që ndodhi në tregun e qytetit të Mitrovicës.

Por për shkak të gjendjes së saj emocionale, ajo nuk mundi të flasë para kamerës.

Në këtë masakër mbetën të vdekur 6 qytetarë.

E në mesin e tyre ishte edhe nëna e Valentina Selanit.

Valentina ishte vetëm 14 vjeç kur mbeti e plagosur, por kishte harruar plagët e saj kur pa nënën të shtrirë në tokë.

“E kam ndalë një veturë, e kujtoj shumë mirë dhe kur e ka ndalë veturën mu më ka leshu fuqia dhe jam dorëzu. Më ka shoferi më ka thënë çka ndodhi, fjala e parë ka qenë shpëtoma nanën, edhe më ka marrë më ka fut në veturë, kur kam dal e kam parë nanën shtrit, ka pas mantill të kuq e kam pa edhe kam thënë të lutna ndale edhe merre edhe nanën por ajo veç kish vdek”, shprehet ajo për Teve1.

E përjetimet e 13 marsit i tregoi për televizionin edhe Azem Beqiri.

“Kur jam plagos unë kam vrapu në atë pjesën andej dhe ka vrapoj e kam parë dorën që e kam të këputur, e kam shky këmishën e kam lidh dorën me ia jep ndihmën e parë dhe kam vrapu me hyp në ndonjë veturë ose diçka, ka qëllu një taksi, kemi hyp në të 5 persona kemi shku në spital”, tregon Azem Beqiri.

Por ndihmat nga shteti që i marrin tani, nuk po i kanë të mjaftueshme.

“Me pa anëtarin e familjes pa një këmbë e pa një dorë është tmerr i madh. Besom prej që kam ardh e po i shoh këto nana pa dy këmbë pa njërën dorë unë nuk po mund të mbajë vetën, pak shumë ka bërë shteti për këtë kategori”, thotë Gjyle Haziri nga Shoqata “Zëri i Prindërve”.

Por nga Komuna e Mitrovicës thanë se aq kanë mundësi, u qëndrojnë afër.

“Gjithmonë ka vend e nevojë me bërë më shumë, mirëpo megjithatë brenda kapaciteteve tona si Komunë gjithmonë iu qëndrojmë afër dhe e bëjmë atë çka janë mundësitë reale”, tha Bedri Hamza – kryetar i Mitrovicës.

Homazhe për të përkujtuar masakrën e 13 marsit të 1999-s bënë edhe figura të tjera politike.

Në këtë masakër, kishin mbetur të plagosur nga forcat serbe edhe 128 qytetarë të tjerë.

E po në këtë datë, në qytetin e Podujevës kishte ndodhur shpërthim i dy bombave ku kishin mbetur të plagosur dhjetëra persona.