
Ardhja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Kosovë, Policia njofton për mbylljen e përkohshme të disa rrugëve
Të martën dhe të mërkurën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, së bashku me zëvendëssekretaren e përgjithshme të NATO-s, do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë, ku priten të takohen me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, shkruan Zeri.info.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me ardhjen e këtij delegacioni të lartë të NATO-s në vendin tonë, disa rrugë do të bllokohen gjatë kohës sa do të kalojë eskorta e delegacionit.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Njoftim për vizitën e Sekretarit Gjeneral të NATO-s në Republikën e Kosovës
Më datën 10 dhe 11 mars 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë një delegacion i lartë i NATO-s i kryesuar nga sekretari gjeneral i saj, z. Mark RUTTE.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /Zëri