
KMSHK-ja mori vendim për 12 ankesa
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), gjatë së enjtes ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje të rregullt janë shqyrtuar gjithsej 12 ankesa, shkruan Zeri.info.
Anëtarët e KMSHK-së në mbledhjen e së enjtes vendosën që t’i miratojnë tri nga 12 ankesat, gjashtë u miratuan pjesërisht, kurse një ankesë u refuzua kurse dy të tjera i shpallën të patrajtueshme.
Njoftimi i plotë i KMSHK-së, pa ndërhyrje:
KUVENDI I KMSHK-së MORI VENDIM PËR 12 ANKESA
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 12 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen tri nga to, gjashtë të miratohen pjesërisht, një ankesë të refuzohet dhe dy të shpallen të patrajtueshme.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II - Raportimi i së vërtetës dhe Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e A.L. Dushi ShPK kundër Gazetaexpress.com për shkrimet ”KQZ pezullon tenderin për bartjen e materialit votues jashtë vendit, rritet rreziku për votat e diasporës” dhe “KQZ e shpërbleu kompaninë ‘AL Dushi’ me tender për bartjen e materialit votues me çmim dyfish më të lartë dhe pa i plotësuar kriteret që kërkohen”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e Samedin Abazit kundër Paparaci.com për shkrimin me titull “Kurti vizitoi hoxhën Husamedin Abazi, i dyshuar për rekrutim të xhihadistëve dhe financim të terrorizmit”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e Shkelzen Deçanit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull ”Ekskluzive: Zbulohet kush është personi që i iku para syve të Policisë dhe hodhi armën e zjarrit në Pejë”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Valicon D.O.O. kundër Demokracia.com, Nacionale.com, Sinjali.com, Paparaci.com dhe Gazetademos.com për shkrimet “’Valicon’ që nxori VV-në 52% drejtohet nga personi i paguar nga GEN-i si Martin Berishaj”, “Pushteti në panik, pas bërtimave, linçimeve e nxitjes së urrejtjes, Kurti porosit të ashtuquajtura sondazhe nga njerëz që paguhen si Martin Berishaj nga GEN-i i rrymës”, "’Valicon’ që nxori dje VV-në 52% mori brenda viti 33 mijë euro nga GEN-i i Martin Berishës” dhe “Raportohet se kompania sllovene ‘Valicon’ që nxori VV-në 52% mori 33 mijë € brenda vitit nga GEN-i i Berishajt”, duke konstatuar se nga këto media, Demokracia.com, Sinjali.com dhe Gazetademos.com kanë shkelur Kapitullin IV, por jo Kapitullin II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese, kurse Nacionale.com dhe Paparaci.com nuk kanë bërë shkelje.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kundër Periskopi.com për shkrimin me titull “Konfirmohet raportimi i Periskopit: Nagavci e dërgon deri në fund ‘misionin’, e rehaton shoqen e saj në Ministri të Arsimit”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV, por jo Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fisnik Korenicës kundër Paparaci.com, Nacionale.com, Periskopi.com dhe Veriu.info për shkrimet me tituj ”Edhe një aferë bombastike shpërthen në kabinetin e Kurtit - prapë energjia”, “Këshilltari i Kurtit i përfshirë në aferën 37 milionëshe korruptive të KEK-ut”, “Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e implikon profesorin e UP-së” dhe “Lidhjet e ngushta të Kurtit me energjinë elektrike - skema”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV, por jo Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës kundër Demokracia.com, Fokusi.info dhe Indeksonline.net për shkrimet me tituj ”Telekomi i Kosovës jep kontratë pa garë për sistemin që lejon kalimin e numrave nga një operator te tjetri”, përkatësisht “Telekomi s’janë parimorë, e dhanë edhe një tender njëburimor”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV, por jo Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Xhafer Tahirit kundër Gazetainfokus.com për shkrimin me titull ”Komisioneri i LDK në Vushtrri vjedh vota për Xhafer Tahirin, prokuroria nis hetimet”, duke konstatuar se është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Xhafer Tahirit kundër Jepize.com për shkrimin me titull ”Komisioneri i LDK në Vushtrri vjedh vota për Xhafer Tahirin, prokuroria nis hetimet”, duke konstatuar se është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Arjeta Krasniqit kundër Indeksonline.net, Kosovapress.com, Telegrafi.com, Klankosova.tv, Atvlive.tv, Demokracia.com, Lajmi.net dhe Teleneës.al për shkrimet me tituj “Nxënësit e një klase në një shkollë të Prishtinës bojkotojnë mësimin shkak dhuna fizke”, përkatësisht “Ndërpritet mësimi në shkollën Dardania për shkak të dhunës, prindërit alarmojnë institucionet”, përkatësisht “Shoku i klasës përdor dhunë, klasa 6-3 në shkollën ‘Dardania’ nuk mbajnë mësim” etj., duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK i ka shpallur të patrajtueshme dy ankesa të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Berat Buzhalës, pasi që bëhet fjalë për statuse personale në rrjetin social Facebook, përmbajtje për të cilën KMShK nuk ka kompetencë të marrë vendime. /Zëri