
Zemaj takon shefin e misionit amerikan në NATO: Forcat e SHBA-ve do të vazhdojnë të jenë një faktor kyç në Kosovë
Ambasadori i Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, është pritur në një takim pune nga Shefi i Misionit të SHBA-ve në NATO, Scott M. Oudkirk, ku u diskutuan çështje kyçe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Pëtrmes një postim në rrjetin social Facebook, Zemaj e vlerësoi gjithashtu praninë e forcave amerikane në Kosovë për gati tri dekada në kuadër të KFOR-it, të cilat, sipas tij, mbeten garantues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Sot pata nderin të pritesha në një takim pune jashtëzakonisht të rëndësishëm në Misionin e SHBA-ve në NATO, nga Shefi i Misionit në detyrë, z. Scott M. Oudkirk.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik i veçantë i vendit tonë, mbështetës dhe promotor i lirisë, demokracisë dhe shtetit të Kosovës, si dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar. Forcat e SHBA-ve, të vendosura në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s, KFOR-it, tani për gati tri dekada, janë garantues dhe mbështetës të fuqishëm të këtyre proceseve dhe do të vazhdojnë të jenë një faktor kyç në të ardhmen.
Këto dhe tema të tjera, ku diskutuam shqetësimet për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, mënyrat për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe prioritetet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon, ishin pjesë e diskutimeve tona.
Jemi së bashku dhe të bekuar me miqësinë tonë, duke ecur përpara në rrugën e integrimeve dhe të ardhmes sonë, si pjesë e trajektores euroatlantike”, ka shkruar Zemaj.