
Rasti “400 kg kokainë”, propozohet dëgjimi i dëshmitarëve të rinj
Në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtja e të akuzuarve propozoi dëgjimin e dëshmitarëve të rinj në rastin e njohur si “400 kg kokainë”. Disa prej këtyre propozimeve u aprovuan nga trupi gjykues.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi.
Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Florent Latifaj, ka propozuar që të dëgjohen edhe disa dëshmitarë tjerë, për të cilët ka theksuar se janë të rëndësishëm për këtë shqyrtim gjyqësor.
Lidhur me propozimin për dëgjimin e drejtorit të kompanisë “Seara”, Marcelo Siegmann, në cilësinë e dëshmitarit, prokurori i rastit Valdet Gashi tha se dëgjimi i këtij dëshmitari është jorelevant për shkak se nuk është kontestuese bashkëpunimi në mes të “Seara” dhe “MC FOOD”.
Ndërsa, për dëgjimin e auditorit të brendshëm të kompanisë “MC FOOD”, Nexhit Shala në cilësinë e dëshmitarit, prokurori tha se është jorelevant pasi që të gjitha faktet që pretendohen të vërtetohen, veçse janë fakte që janë pasqyruar në prova materiale nga ana e Prokurorisë.
Sa i përket dëgjimit të përfaqësuesit të MCC-së në Kosovë Liridon Gashit në cilësinë e dëshmitarit, prokurori Gashi deklaroi se nuk është relevant pasi që sa i përket personave përgjegjës për caktimin e linjave detare, ky fakt tanimë është i njohur dhe është vërtetuar nga informacioni zyrtar i shtetit të Spanjës, ku vërtetohet çdo detaj i transportit të mallit si nga Barcelona ashtu edhe nga Valencia.
Kurse, për dëgjimin e inspektorit në AUV, Gazmend Berbatovci, në cilësinë e dëshmitarit, prokurori Gashi tha se dëshmia e tij nuk ka relevancë pasi që ky person është intervistuar në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit dhe i njëjti nuk ka pasur ndonjë informacion lidhur me rastin.
Ndërkaq, sa i përket propozimit të dëgjimit në cilësinë e dëshmitarit, Ilir Beha - punëtor në Nasa shped, prokurori Gashi tha se dëshmia e këtij personi nuk është relevante pasi faktet që pretendohen të vërtetohen përmes këtij dëshmitari, tanimë veçse janë të njohura e janë paraqitur nga dëshmitarët tjerë.
E për dëgjimin e zyrtarëve policorë Bahri Shala, Aziz Osmani, Xhavit Gashi dhe Bekim Kaqiku, në cilësinë dëshmitarëve, prokurori tha se ky propozim është i pakuptimtë, pasi që hetuesit policorë veprojnë mbi bazën e Prokurorisë dhe një propozim i tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm në drejtësi.
Po ashtu, në këtë seancë propozime për dëgjim të dëshmitarëve, ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Rrahimi, avokati Driton Musliu, i cili ka propozuar që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve Hysni Salihu dhe Kajtaz Sulejmani.
Për Salihun dhe Sulejmanin, prokurori Gashi tha se dëshmia e tyre nuk ka aspak relevancë për rastin në fjalë.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, ka aprovuar propozimet e avokatit Florent Latifaj për dëgjimin e dëshmitarëve Marcelo Siegmann, Liridon Gashi, Ilir Beha, Xhavit Gashi dhe Bekim Kaqiku. Ndërsa, sa u përket propozimeve të avokatit Driton Musliu, ka aprovuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarit Hysni Salihu.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. /BetimipërDrejtësi