
Lista Serbe do t’i dërgojë 500 njerëz në Beograd për ta mbrojtur Vuçiqin
Mediumi nova.rs ka publikuar një informacion të partive serbe në Kosovë që sugjeron se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përmes Listës Serbe, po organizon “serbët në Kosovë për të formuar një grup prej 500 personash që do të vendosin tende përpara ndërtesës së Presidencës në Beograd”.
Opozita thotë se qëllimi i këtij veprimi është të mbrojnë presidentin serb dhe karrigen e tij nga një grumbullim masiv i popullit të revoltuar.
Pjesëmarrësit do të kenë shpërblim ditor, ushqim dhe pije, dhe planifikohen të arrijnë në Beograd më 12 mars, sipas tyre.
“Mbrojtja” do të vazhdojë për të paktën 25 ditë, derisa Vuçiq të vendosë se sa kohë i duhen.
Lëvizja Popullore e Serbëve nga Kosova “Atdheu”, Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës dhe Forumi Kombëtar Serb kujtojnë të gjithë serbët, se “Aleksandar Vuçiq është tradhtari më i madh në historinë e popullit serb”.
Ndryshe, tash e sa muaj qytetarët kanë nisur protestat masive pas tragjedisë në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 15 persona gjersa po i kërkohet llogari Vuçiqit. /Telegrafi