Gjermania beson se mbyllja e qendrave në veri është e lidhur me krijimin e Asociacionit

Gjermania beson se mbyllja e qendrave në veri është e lidhur me krijimin e Asociacionit

Aktuale February 27, 2025 - 10:01

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se mbyllja e institucioneve financiare në veri është e ndërlidhur thellësisht me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Prandaj, sipas Ambasadës, mbyllja e institucioneve të tilla është e lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ambasada Gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ASMM). Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë ASMM-në, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Po ashtu, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë për rtv 21 se veprimet e fundit të Qeverisë në veri të vendit nuk kontribuojnë për një konsensus te vendet e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Gjermania është përgjithësisht e mendimit se masat ekzistuese ndaj Kosovës duhet të hiqen. Megjithatë, heqja e këtyre masave kërkon një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së dhe veprimet e fundit nuk kanë nxitur një atmosferë më pozitive ndaj Kosovës për të arritur një konsensus të tillë”.