
Kurti viziton familjet Demaçi e Dehari: I lidh i njëjti ideal për atdheun
Kryeministri Albin Kurti ka qenë në vizitë te familja e veprimtarit shqiptar, Adem Demaçi dhe të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në ditën e tyre të lindjes.
“26 shkurti shënon ditëlindjen e Adem Demaçit dhe Astrit Deharit, dy figura që, megjithëse i ndan një gjysmë shekulli, i lidh i njëjti ideal për atdheun dhe përparimin e shoqërisë sonë. Sot vizituam familjet Demaçi dhe Dehari, ku krahas ngrohtësisë jeton i gjallë kujtimi për Ademin e Astritin, për historinë që ata mishërojnë, për të kaluarën dhe të ardhmen që na e trashëguan. Adem Demaçi është drita që na udhëhoqi drejt lirisë, ndërsa Astrit Dehari kujton vendosmërinë e brezave të rinj në atë rrugë. Ne punojmë që ideali i tyre të jetojë në çdo zemër”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka thënë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për Astritin dhe asnjëherë nuk do ta harrojnë rrugën që ua tregoi Baca Adem.