
Di Lellio e cilëson grevën e minatorëve “fillimi i fundit të Jugosllavisë”
Profesoreshë Anna Di Lellio ishte mysafire e parë për vitin 2025 e programit “Leksione albanologjike”, nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.
Ajo ka mbajtur një ligjëratë të veçantë me temën “The Oral Tradition in the 21st century (Tradita gojore në shekullin XXI)”. Grevën e minatorëve e cilësoi si “fillimin e fundit të Jugosllavisë”.
Në Kosovë kishte hyrë atëherë kur kishin hyrë edhe trupat e NATO-s.
Derisa ka treguar se çfarë i kishte bërë përshtypje në objektin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.Figura e komandantit legjendar Adem Jashari në ballë të këtij objekti, thotë ta ketë bërë kureshtare të dinte më shumë rreth tij, e për këtë shkoi të hulumtonte në Prekaz, ku edhe e kishte mësuar të vërtetën për të.
Di Lellio, që librat e saj i ka shkruar mbi bazën e historive orale, ka treguar për librin e saj të parë që kishte shkruar rreth Betejës së Kosovës.
“Zbulova që njerëzit thoshin se Millosh Kopiliçi ishte shqiptar e jo serb. Libër që ka tetë variante të ndryshme të këngës për Millosh Kopiliçin, është një ep i tërë që ai paska qenë shqiptar e jo serb, dhe ky ishte zbulim i madh”, tha ajo.
Një tjetër libër për të cilin foli dhe tha të jetë tejet krenare, është edhe “Dimri i gjatë i vitit 1945” që ka të bëjë me masakrën e Tivarit.
“Është si një novelë grafike e ilustruar, ky libër ka lindur nga regjistrimet me të mbijetuar të kësaj masakre”, tregoi ajo.
Ndërkohë, kur foli për librin e saj të fundit, “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, tha se qëndresa e rezistenca e minatorëve, ishte një moment kyç në historinë e Kosovës.
“Dhe kam organizuar historinë e vonshme të Kosovës përreth tri datave, tri ngjarjeve. Së pari Trepça në vitin 1989, Prekazi në vitin 1998 dhe intervenimi i NATO-s në 1999. Trepça për mua kur kam filluar të lexoj për të, dhe them me vete, pse nuk kujtohet Trepça, siç mbahet në mend Reçaku e Prekazi?. Dhe kam lexuar më shumë dhe kam kuptuar që, Trepça është goxha e komplikuar si grevë, dhe kam filluar të krijojë mendimin që ‘Trepça’ ka qenë fillimi i fundit të Jugosllavisë”, tha tutje ajo në këtë ligjëratë.
Profesoreshë Anna Di Lellio është studiuese nga SHBA-ja me angazhim hulumtues dhe akademik në Kosovë, e njohur për punën e saj në fushat e studimeve shqiptare, historisë dhe antropologjisë.
Ajo njihet veçanërisht për hulumtimet e saj mbi shoqërinë e pas luftës në Kosovë, historinë e saj dhe trashëgiminë kulturore, me një fokus te traditat gojore dhe rolin e tyre në shoqërinë bashkëkohore.
Është ligjëruese në Programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York University (New York, SHBA) dhe në Universitetin Amerikan në Prishtinë (RIT, Kosovo), si dhe bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë. Për kontributin dhe angazhimin e saj në çështjet e kulturës kombëtare, është dekoruar nga presidentja e Republikës së Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, në vitin 2015. /EO
