
El Salvadori uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë
El Salvadori ka uruar Kosovën me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë.
Në urimin që presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani, thuhet se ai ka shprehur urimet më të sinqerta për Presidenten Osmani dhe për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të forcës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës ndaj historisë dhe identitetit të tyre.
“Duke përgëzuar përparimin që ka arritur Kosova, Presidenti Bukele ka ripotencuar vullnetin e El Salvadorit për t`i forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, thuhet në urim.
Në fund të mesazhit, presidenti Bukele ka përcjellë urimet më të mira për mirëqenie, prosperitet dhe sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo festë duhet të jetë një burim gëzimi dhe një angazhim ndaj idealeve që kanë formësuar shtetin e Kosovës. /Zëri
