![Rutte: NATO-ja e angazhuar për stabilitet në Kosovë dhe rajon](/uploads/zeri.info/images/2025/January/13/auto_auto_auto_kosova-nato171681391017251359731736766531.jpg)
Rutte: NATO-ja e angazhuar për stabilitet në Kosovë dhe rajon
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur përfshirjen përmes KFOR-it në Kosovë dhe ndjekjen e zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë.
Siç ka raportuar Dukagjini, nga selia e NATO-s në Bruksel, pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të aleancës veri-atlantike, Rutte u shpreh se qëllimi kryesor mbetet stabilizimi i rajonit dhe bashkëpunimi me liderët e vendeve të Ballkanit.
Duke komentuar zhvillimet në Kosovë, Rutte përmendi procesin zgjedhor dhe përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të finalizuar rezultatet, duke mos përjashtuar mundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës.
“Ne jemi shumë të përfshirë në Kosovë përmes KFOR-it, gjithashtu po përcjellim nga afër dhe po përpiqemi të ndihmojmë në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me liderët në rajon, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në një kontekst të vazhdueshëm për tu siguruar që çkado që mund të bëjmë për te kontribuuar në stabilizimin e rajonit, ta bëjmë. Sapo kishim zgjedhjet në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar në rezultatet përfundimtare dhe kjo nënkupton se mund të këtë një koalicion në Kosovë”, ka thënë Rutte.