Stacioni “Qendra” i Policisë mbeti pa rrymë, dyshohet që është djegur transformatori

Stacioni “Qendra” i Policisë mbeti pa rrymë, dyshohet që është djegur transformatori

Aktuale February 07, 2025 - 21:30

Në stacionin Qendra të Policisë së Kosovës në kryeqytet mbrëmë pas mesnate është ndalur energjia elektrike për më shumë se një orë. 

KEDS-i po thotë se dyshohet që është djegur transformatori i Policisë për të cilin nuk kanë përgjegjësi. Në ndërkohë, monitorues të sigurisë konsiderojnë se raste të tilla janë shqetësuese.

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, stacioni kryesor i policisë në kryeqytet, i njohur si Qendra ka qenë në terr.

Burime brenda Policisë i thanë televizionit se stacioni nuk ka pasur energji elektrike për më shumë se një orë.

Arsye për këtë ka, por KEDS-i po thotë se kjo nuk ka ndodhur me fajin e tyre.

“Transformatori që furnizon Stacionin e Policisë është pronë private e tyre.  Ky transformator dyshohet se është djegur, por ai është aset i tyre dhe nuk i përket KEDS-it, për çka ju lus që t’u drejtoheni atyre”, kanë thënë nga KEDS.

Por gjatë ditës, zyra për media e Policisë së Kosovës nuk u përgjigjën në interesimin e televizionit për të kuptuar se çka kishte ndodhur saktësisht.

Ish-zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha po thotë se ajo çfarë ka ndodhur është shqetësuese.

“Nderprerja e energjise elektrike ne stacione policore eshte nje sfide e madhe dhe ndikon ne uljen efikasitetin dhe efektivitetit, shkakton nderprerjen e veprimtarise normale te punes qe eshte kruciale per ofrimin e sherbimeve ne mbrojtje te jetes dhe prones se qytetareve”, ka thënë Hoxha.

Stacioni “Qendra” është një prej 8 stacioneve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë. /dukagjini