AIP-ja përsërit kërkesën për partitë politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve

AIP-ja përsërit kërkesën për partitë politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve

Aktuale February 06, 2025 - 09:35

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), përmes një njoftimi për media ka përsëritur kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.

Në njoftim thuhet se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në përmbushje të mandatit të saj ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përsërit kërkesën drejtuar Partive Politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.

“Për të siguruar zbatimin e ligjit, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”, thuhet në reagimin e tyre.

Më tutje, Agjencia ofron bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.