Pezullimi i fondeve amerikane, në Kosovë shqetësime për bllokimin e shumë projekteve
Industria e Drurit është një prej sektorëve të prekur nga pezullimi i Fondeve amerikane pas vendimit të presidentit Trump për USAID-in.
Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës e cila që nga paslufta përfitoi nga fondet e USAID-it, shpreh shqetësimin se pezullimi i fondeve do të ndikojë edhe në eksport.
Drejtoresha e kësaj shoqate Arieta Vula përmend disa nga projektet të cilat tashmë janë pezulluar e për të cilat thotë se është vështirë të realizohen pa ndihmën e USAID-it.
“…Ne kemi qenë si shoqatë përfituese e fondeve qe 20 vjet si shoqate jemi edhe një iniciative e bashkëorganizimit dhe themelimit të shoqatës do te ketë ndikim negativ sepse shume projekte ne i kemi realizuar pikërisht me fondet apo mbështetjen e USAID”, tha Vula për rtv21
Nga pezullimi i fondeve të USAID-it është prekur edhe shoqata për përpunimin e pemëve dhe perimeve “Pepeko”.
Në këtë shoqatë thonë se nëse pezullimi i fondeve do të jetë afatgjatë, pasojat do të parikuperueshme.
“Ndërprerja e fondeve ka ndikim në zhvillimin e aktiviteteve dhe bizneseve në përgjithësi edhe shoqata “Pepko” kemi pasur ndërprerje të financimit nga ana e USAID-it dhe ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e shoqatës tonë edhe ne realizmin e aktiviteteve që ndërlidhen me gjetjen e tregjeve ndërkombëtare…”.
Në urdhrin ekzekutiv të Trumpit është bërë thirrje për pezullim 90-ditor të ndihmave, me qëllim të vlerësimit të efikasitetit dhe “konsistencës me politikën e jashtme amerikane”.
Një ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të USAID-it tha se është duke u shqyrtuar mundësia që kjo agjenci të riorganizohet duke shtuar se ka shumë funksione të USAID-it “që do të vazhdojnë” por “duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane”.
Oda Ekonomike e Kosovës, vlerëson se mbyllja e USAID-it do të kishte pasoja negative për Kosovën.
“Po. USAID-i ka luajtur një rol jetësor ne zhvillimin e Kosovës. Duke qenë prezent që nga viti 2000 USAID-i investoi mbi 1 miliard euro ne Kosovë duke ndihmuar në zhvillimin e sistemit arsimor dhe veçanërisht atë juridik. Ndërsa ndihmoi Kosovën të anëtarësohet edhe në organizata ndërkombëtare. Ndërkaq mbyllja e tij e përhershme në Kosovë do të lërë një zbrazëti që nuk do arrihet asnjëherë të përmbushet”.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.