ZKA-ja nis auditimin për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve në Kosovë
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur një auditim të performancës mbi mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë.
Ky auditim është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit 2024/2025 dhe synon të vlerësojë masat e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve, një pasuri jetike për vendin.
Në fushëveprimin e auditimit përfshihen Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.
ZKA-ja thekson rëndësinë e pyjeve për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, sfida si prerjet ilegale, degradimi i tokës dhe koordinimi i dobët institucional mbeten shqetësime kryesore.
Auditimi do të fokusohet në masat për parandalimin e prerjeve ilegale, zbatimin e programeve të rikultivimit të pyjeve dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për menaxhimin e pyjeve shtetërore dhe parqeve kombëtare.
ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e zgjidhjeve për përmirësimin e menaxhimit të pyjeve, duke siguruar që këto pasuri të vlefshme të mbrohen për brezat e ardhshëm. Institucioni mbetet i përkushtuar për transparencë dhe menaxhim efektiv të pasurive natyrore të vendit.