21 janari, Rama: Drejtësia vonon, po nuk harron

21 janari, Rama: Drejtësia vonon, po nuk harron

Aktuale January 21, 2025 - 08:40

Përmes një postimi në shkurtër në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka përkujtuar protestën e dhunshme të 21 janarit 2011, gjatë së cilës u vranë katër protestues dhe u plagosën disa të tjerë.

Kreu i Qeverisë shkruan krah fotos së publikuar se ata që po vonojnë drejtësinë për 21 janarin nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër.

“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama.

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës më 21 janar 2011.

Edhe pse kanë kaluar 14 vjet nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre.

“21 janari” është zyrtarisht një çështje që po hetohet nga SPAK. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar një hetim penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para Kryeministrisë.

Çështja u regjistrua nga SPAK-u në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të marsit të këtij viti, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika.