
Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës
Në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen një sërë aktivitetesh:
Në orën 09:00 Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës do të bëjnë homazhe te varri i presidentit Rugova, në Velani.
Në orën 11:00 do të mbahet ceremonia përkujtimore për nder të presidentit Rugova, ndërkaq pas përfundimit të ceremonisë do të hapet Ekspozitë e fotografive të presidentit Rugova, nga fotografi Hazir Reka.
Sot u mbushën 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Rugova në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2004.