“Mungesa e parkingjeve po shkakton kolona deri në 2 kilometra, Ministria s’po interesohet”
Mungesa e parkingjeve të mjaftueshme në zonën e Prevallës po shihet si problem kryesor edhe nga shitësit ambulant dhe qytetarët.
Bahrudin Bajrami, shitës ambulant në Prevallë, thotë për “Betimi për Drejtësi” se këto kolona bëhen si pasojë e mungesës së parkingjeve në atë zonë.
“…Parkingu. Parkingu. Ka parking por nuk ka parking mjaftueshëm. Dhe e dyta është fluksi i madh. Trafiku i madh, shumë kerre. Edhe kjo rruga lidhet me Brezovicë, Shkup, Tetove dhe Prizrenin… Ka shumë raste. Po pritojnë se s’kanë ku ta lënë kerrin, ose duhet të presin në kolonë ose duhet të lënë larg kerrin për me mbërri këtu. Së paku 1 km ose 2 ta lënë larg për me ardhë me pa borën. Pasojën e parkingjeve në përgjithësi këtu ndikojnë te bizneset. Ka njerëz që janë ardhë me familje nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe nga Shqipëria”, thotë Bajrami.
Hadi Kelmendi, qytetar nga Prizreni thotë se problemi më i madh që ai sheh në Prevallë është mungesa e parkingjeve për automjete.
“Na si qytetarë është problem edhe me ardhë këtu prej qytetit se janë të ngarkuara vendet në parkingje, sidomos tash që është bora këtu dhe ka kërkesa më të mëdha këtu që të vijmë prej qytetit të Prizrenit dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Nuk është zgjidhur problem i parkingut siç po e shihni të gjithë këtu. Ka raste shumë, jo unë por edhe shumë të tjerë që kanë qejf me ardhë dhe s’munden për shkak të ngarkesave të parkingjeve. A ka rast që dikush kthehet se s’po ka parking? Shumica, kur është vikend sidomos, kolona është 2-3 kilometra, por kthehen se s’po munden të kalojnë sepse rruga është ë zënë. Problemi më i madh në Prevallë është parkingu”, thotë Hadi Kelmendi.
Tjetër shitës ambulant fajin për mungesën e parkingut ia lë ministrisë.
“Pllaci dy hektarë e 20 ari, i Ilirisë që ka qenë. Munden këtu me çel parkingun me ndërtu një kat, një plloçë edhe lartë, mirëpo s’po interesohet Ministria e Ambientit”, thotë ai.