Hoti: Situata me gripin sezonal e pritshme, vaksinimi mënyra më efektive
Foto: Laura Hasani

Hoti: Situata me gripin sezonal e pritshme, vaksinimi mënyra më efektive

Aktuale January 10, 2025 - 23:37

Specialisti i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Faik Hoti, tha se shtimi i rasteve me grip sezonal në Kosovë nuk është diçka e jashtëzakonshme.

Ai bëri thirrje për vaksinim kundër këtij gripi, duke përmendur se janë ende në dispozicion rreth 20 mijë doza.

Hoti tha se janari zakonisht karakterizohet nga një rritje të rasteve me këtë grip.

“Është e pritur sa i përket sezonës. Mirëpo, po shohim se nga java në javë kemi një përqindje të rritjes së rasteve. Kjo javë karakterizohet me një rritje prej 15 për qind krahasuar me rastet e javës së kaluar, që i përgjigjet sezonës. E rëndësishme është që situata të monitorohet, qytetarët të jenë të vëmendshëm, dhe mesazhi kryesor që Instituti e jep për qytetarët është që të vaksinohen kundër gripit sezonal”, tha ai.

Hoti shtoi se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Ai njoftoi se procesi i vaksinimit ka filluar në muajin tetor të vitit 2024 dhe deri më tani janë administruar rreth 65 mijë doza.

“Numri më i madh i të vaksinuarve i përket kategorisë së të moshuarve, personave me sëmundje shoqëruese, grupit të profesionistëve shëndetësorë, grave shtatzëna dhe fëmijëve”, sqaroi Hoti.

Ai bëri thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal, duke përmendur se janë ende në dispozicion rreth 20 mijë doza që duhet të përdoren.

“Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për ta parandaluar gripin. Qytetarët duhet ta kenë parasysh që vaksina nuk jepet për ta mjekuar gripin, por për ta parandaluar shfaqjen e tij. Sugjerimi i Institutit është vaksinimi, sepse gripi do të zgjasë edhe disa muaj dhe vaksina ka një kohë optimale për të mbërritur mbrojtjen te personi që injektohet”, theksoi Hoti. /rtk