Gjashtë vjet nga transformimi i FSK-së në ushtri, vlerësohet avancimi i deritashëm
Foto: Laura Hasani

Gjashtë vjet nga transformimi i FSK-së në ushtri, vlerësohet avancimi i deritashëm

Aktuale December 14, 2024 - 19:45

Sot janë bërë 6 vjet që nga miratimi i tri ligjeve në Kuvendin e Kosovës, të cilat ia dhanë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin e ushtrisë. Ish-ushtarakë të FSK-së konsiderojnë se tani shteti ka ushtri të konsoliduar, por theksojnë se nevojitet akoma më shumë punë drejt synimit kryesor, që është anëtarësimi në NATO.

Profesionalizmin, punën dhe përkushtimin e kishin në nivel të lartë.

Andaj, Forca e Sigurisë së Kosovës ishte gati të kthehej në ushtri.

Më 14 dhjetor 2018, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, Kuvendi i Kosovës Ramush Haradinaj me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që ia ndryshuan mandatin FSK-së në ushtri, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin ai për Ministrinë e Mbrojtjes, tjetri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Projektligji për shërbim në FSK.

Gjatë këtyre 6 viteteve, ish-ushtaraku Ismet Ibishi thotë se FSK-ja ka bërë transformim të madh.

Ismet Ibishi, Ish-ushtarak deklaroi “Ne që ishim në themelet e kësaj ushtrie që sot është dhe për çdo ditë, po ndërtohet mirë e më mirë, po pajiset për të garantuar sigurinë e Kosovës bashkë me aleatët tanë”.

Megjithatë, Ibishi thotë se duhet ende shumë punë.

Kurse një ish-ushtarak tjetër, Fadil Kajtazi thotë se tashmë për FSK-në qëllim kryesor duhet të jetë anëtarësimi në NATO, pasi vlerëson se i plotëson kriteret.

Fadil Kajtazi, Ish-ushtarak deklaroi se “Për arsye se NATO, në radhë të parë është organizatë politike dhe pastaj ushtarake dhe hapja e portës për të hyrë në NATO kërkon një mobilizim politik”.

Kajtazi është i kënaqur edhe me armatosjen e ushtrisë, veçse insiston që armët të blihen kryesisht nga vendet perëndimore.

Tranzicioni i FSK-së është planifikuar të bëhet në tri faza brenda 10 vjetësh, për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Bazuar në një marrëveshje të arritur më 2013 mes kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Andres Rasmussen, FSK-ja nuk ka të drejtë të veprojë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pa lejen paraprake të misionit të NATO-s.