Haradinaj uron 6-vjetorin e Ushtrisë
Foto: Laura Hasani

Haradinaj uron 6-vjetorin e Ushtrisë

Aktuale December 14, 2024 - 11:26

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka uruar Kosovën me rastin e gjashtëvjetorit të formimit të Ushtrisë së Kosovë.

Haradinaj thotë se gjashtë vjet nga ky moment, sot Ushtria e Kosovës dëshmon se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale.

Haradinaj i cili ishte kryeministër në kohën e formimit të Ushtrisë, ka thënë se do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj SHBA-së, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Haradinajt:

Kosovë, urime 6-vjetorin e Ushtrisë!

14 dhjetori i vitit 2018 ishte një moment historik për vendin – dita kur Kosova krijoi Ushtrinë e saj, e gatshme për t’u rreshtuar në krah të ushtrive të paqes dhe lirisë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Sot, gjashtë vjet pas, Ushtria e Kosovës ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë. Objektivi ynë strategjik afatshkurtër mbetet anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, dhe këtë rrugë do ta ndjekim me përkushtim dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Në këtë përvjetor po e rikthej në vëmendjen tuaj, një fjalë time nga zemra, ditën kur u formua Ushtria.

Mirënjohje e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Sekretarin James Mattis!