Eksperti amerikan tregon tri masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria pas sulmit në Zubin Potok
Foto: Laura Hasani

Eksperti amerikan tregon tri masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria pas sulmit në Zubin Potok

Aktuale December 06, 2024 - 08:14

“Qeveria e Kosovës mund të ndërmarrë disa masa për të parandaluar përsëritjen e një sulmi”, kështu ka thënë në një intervistë për “Zërin” profesori dhe njohësi i zhvillimeve të sigurisë në Ballkan, Alon Ben-Meir, i cili ka folur për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e IbërLepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Ben-Meir ka përmendur se sulmi ndodhi vetëm tre muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe për këtë, sipas tij, ai mori një rëndësi të veçantë, pasi mund të rrisë më tej tensionet midis dy vendeve, të cilat tashmë janë në konflikt të vazhdueshëm.

Ai vlerëson se reagimi i komunitetit ndërkombëtar ishte i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë, duke përmendur që Ambasada e SHBA-së dhe ambasadori i BE-së në Prishtinë bënë thirrje për një hetim dhe ofruan mbështetje të plotë për Qeverinë e Kosovës.

“Për më tepër, NATO-ja dënoi sulmin dhe vendosi të rrisë sigurinë rreth kanalit”, thotë Ben-Meir për Zeri.info.

Ai ka përmendur tri masa që Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë për të parandaluar përsëritjen e një sulmi tjetër si ai i 29 nëntorit.

“Qeveria e Kosovës mund të ndërmarrë disa masa për të parandaluar përsëritjen e një sulmi të tillë. Ndër këto masa, Qeveria duhet të punojë ngushtë me aleatët e saj, veçanërisht SHBA-në dhe BE-në, për ta trajtuar çështjen diplomatikisht dhe për të parandaluar përshkallëzimin e incidentit në një konflikt të dhunshëm më të madh. Është gjithashtu e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të investojë në forcimin e infrastrukturës, e cila do të minimizonte dëmet e rënda nëse autorët do të guxonin të sulmonin përsëri. Për më tepër, ky incident duhet të shtojë momentumin dhe jo ta dëmtojë dialogun Serbi - Kosovë, i cili është i domosdoshëm në çdo rrethanë”, ka thënë Ben-Meir për Zeri.info.

Së fundmi, ai këshillon që kryeministri Kurti duhet të tregojë vendosmëri në trajtimin e kësaj çështjeje, e sipas tij është thelbësore që ai të mos veprojë pa kujdes.

“Në analizën përfundimtare, ai dëshiron mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për të adresuar krizën në mënyrë efektive dhe për të punuar së bashku drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thotë profesori dhe njohësi i zhvillimeve të sigurisë në Ballkan. /Zëri