Dy kandidatët për Kryeprokuror në Mitrovicë premtojnë transparencë
Kandidatët për Kryeprokurorë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shpëtim Peci dhe Zef Perndrecaj kanë publikuar konceptet e tyre se si e vlerësojnë gjendjen aktuale të kësaj prokurorie dhe si mendojnë ta përmirësojnë atë nëse bëhet Kryeprokuror.
Kandidati për të parin e Prokurorisë së Mitrovicës, prokurori Shpëtim Peci në koncept-dokumentin e tij, ka thënë se gjendja në këto prokurori nuk është aktualisht mirë pas largimit të prokurorëve serbë, duke thënë se kanë qenë 15 prokurorë dhe tashme janë vetëm 10, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka thënë se me largimin e prokurorëve serbë, Prokuroria nuk mund të ketë një përfaqësues në Këshillin Prokurorial, duke e bërë kështu të vështirë adresimin e problemeve drejtpërsëdrejti.
Sipas tij, mungesa e prokurorëve dhe stafit administrativ e vështirëson tej mase punën në këtë prokurori. Prokurori Peci, ka thënë se edhe ardhja e tre prokurorëve të zgjedhur, nuk e lehtëson shumë punën pasi ata do bashkëngjitën në Departamentin e Përgjithshëm dhe Departamenti për Krime të Renda serish do jetë pa prokurorët e mjaftueshëm.
Sipas tij, edhe objekti ku e ushtron Prokuroria veprimtarinë e saj është sfide në vete, pasi nuk ka hapësira të mjaftueshme.
Sfidë tjetër sipas tij, është numri i madh i lëndëve, ku një prokuror në Departament të Përgjithshëm është i ngarkuar me të paktën 800 lëndë dhe se numri i prokurorëve me lëndët e pranuara është shume i vogël, çka e bënë të vështirë implementimin e Strategjisë dhe Planit Strategjik 2022-2024.
Objektivat gjatë mandatit të tij prokurori Peci shkruan se janë; trajnimet e specializuara në hetimin e krimit të organizuar, krimeve kundër integritetit seksual, dhunës në familje e veprave kundër pasurisë. Objektive tjetër e tij thotë të jetë, përmirësimi i teknologjisë dhe dixhetalizimit, fokusimin në efikasitetet dhe menaxhimin e lëndëve me punë, rritjen e transparencës, komunikimit dhe bashkëpunimit me akteret vendor dhe ndërkombëtar.
Kandidati për Kryeprokuror thotë se synon që përmes publikimeve të aktiviteteve të prokurorisë, takimit me qytetarë do ndikoj në rritjen e transparencës dhe besimit të publikut. Ai thotë se duke pasur parasysh rrethanat e Mitrovicës, do mbaj takime të rregullta me Policinë, EULEX-in, OSBE dhe organizata tjera.
Ai thotë se do përcaktoj tregues të qartë të monitorimit dhe vlerësimit të përformancës në përputhje me udhëzimet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSh).
Në aspekt të menaxhimit të stafit në mënyrë efektive dhe të barabartë, sipas tij stafi duhet të jetë i ndarë në kuadër të departamenteve dhe i specializuar në trajtimin e rasteve sipas departamenteve. Struktura e qartë, çka sipas tij prokurorët duhet të kenë një linjë të qartë të raportimit dhe përmirësimin e rrjedhës se komunikimit përmes niveleve të ndryshme të stafit.
Rekrutimi i stafit të vazhdueshëm, menaxhimi dhe vlerësimi i rregullt, promovimi i etikes dhe integritetit, vendosja e rregullave të qarta për parandalimin e konfliktit të interesit, mbledhjet e rregullta, takimet, kolegjiumet javore për diskutim të çështjeve të ndryshme, unifikimin e praktikave të veprimit, janë disa prej hapave tjerë që kandidati Peci ka theksuar në koncept-dokumentin e tij.
Lidhur me rritjen e transparencës, Peci ka theksuar se duhet të bëhet një ndarje mes transparencës dhe konfidencialitetit, duke thënë se duhet të hartohen udhëzime të qarta në bashkëpunim më KPK-në dhe ZKPSh-në, në përputhje me dispozitat ligjore ku përkufizohet qartë se cilat informacione duhet të publikohen gjatë hetimeve.
Ai ka premtuar publikimi i të dhënave në mënyrë periodike me qëllim të informimit të qytetarëve pa komprometuara ndonjë të dhënë të ndjeshme. Sipas tij edhe roli i zëdhënësit për media është kryesor që në bashkëpunim me prokurorët të ofrohen të dhëna të sakta për publikun.
Në anën tjetër, ai ka thënë se për të siguruar punë cilësore duhet të rritet numri i prokurorëve, stafit mbështetës, trajtimi dhe zbatimi i procedurave alternative si ndërmjetësimi, pezullimi i përkohshëm i procedurës, marrëveshjes se pranimit të fajësisë.
Prokurori ka shtuar se për çdo veprim të marrë do aplikohet sistemi SMIL, si dhe Inteligjenca Artificiale që ndihmon në marrjen e informatave të shpejta.
Në koordinim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe KPK-së ai thotë se do krijojnë program të qartë për etikën dhe integritetin, duke u bazuar edhe në Kodin e Etikës. Gjithashtu, sipas tij krijimi i mekanizmave të brendshëm për shqyrtimin e ankesave dhe mbikëqyrjen e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit.
Ai shton se do bashkëpunoj me organizatat që promovojnë transparencën dhe sundimin e ligjit me qëllim të rritjes se besimit të publikut dhe mbështetjes së Prokurorisë për rritjen e efikasitetit.
Kandidati Zef Perndrecaj në koncept dokumentin e tij, ka shkruar pothuajse të njëjtat problematika duke thënë se gjendja aktuale në Prokurorinë e Mitrovicës nuk është e mirë, pasi objekti vazhdon të jetë me qira, nuk plotëson nevojat e prokurorisë dhe nuk ofron qasje në drejtësi, si dhe gjendja me prokurorët serbë të larguar.
Sipas tij, gjykata cakton shumë seanca të cilat nuk ka prokurorë për t’i përfaqësuar këto lëndë. Kështu, Prendrecaj thotë se prokurorët detyrohet të marrin pjesë në shumë seanca brenda ditës dhe kjo ndikon direkt në profesionalizëm dhe nuk ndahet drejtësia si duhet.
Objektivat kryesore të tij, ai thotë se janë rritja e cilësisë në administrimin e Prokurorisë, efikasiteti në kryerjen e lëndëve të grumbulluara, hetimin me prioritet të rasteve të korrupsionit.
Këto objektiva, ai shkruan se do t’i arrij përmes një plani të detajuar të punës duke filluar nga ndërtimi i objektit të ri, rritjes se stafit, zbatimin e procedurave alternative, bashkëpunimin ndërinstitucional, etj.
Për të, sfidat do jenë buxheti, lëndët e grumbulluara, numri i pamjaftueshëm i punëtorëve, procedurat e sekuestrimit dhe konfiskimit dhe çështje tjera.
Për t’i tejkaluar këto sfida, ai thotë duhet siguruar buxhetin e mjaftueshëm, duhet treguar efikasitet, përmirësimin e cilësisë në punë, rritjen e integritetit etik dhe profesional, përkrahjen nga institucionet ndërkombëtare dhe jo vetëm, bashkëpunimin me institucione të sigurisë dhe drejtësisë, bashkëpunimin me ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare. Si dhe ai thotë se do bashkëpunoj edhe me shoqërinë civile dhe mediat.
Vizioni i tij për menaxhim të stafit është duke bërë vlerësim të gjendjes aktuale të personelit, rishikimin e strukturës organizative, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, trajnimin e personelit, vlerësimin e rezultateve të punës në baza javore, mujore dhe vjetore, ngritjen e llogaridhënies.
Prokurori Prendrecaj ka thënë se për rritjen e llogaridhënies duhet takuar secilin pjesëtar të stafit për të dëgjuar kërkesat, propozimit dhe rekomandimet për punën e përditshme në prokurori.
“Në këtë mënyrë, mund të detektohen-mësohen problemet apo vështirësitë dhe kjo ndihmon për të përmirësuar profesionalizmin dhe llogaridhënien”, thuhet në koncept-dokumentin e tij.
Ai thotë se do të kërkoj vlerësim të vazhdueshëm të stafit por edhe t’iu sigurohet trajnim i vazhdueshëm brenda dhe jashtë vendit në mënyre që stafi të merr praktikat me të mira.
Në anë tjetër, ai ka thënë se për të rritur transparencën komunikimi me media është i domosdoshëm. Ai thotë do organizojnë takime çdo jave me palë dhe të paktën një herë në jave takime edhe me shoqërinë civile.
“Shoqëria civile mund të përkrahin çështje të caktuara me interes për qytetarët në mënyrë që qasja e tyre në drejtësi të lehtësohet”, shkruan ai.
Takimet, konferencat, publikimi i vendimeve, përgjigjja në kërkesa, sipas tij janë format e komunikimit që do të rrisin transparencën dhe besueshmërinë në punën e Prokurorisë.
Ai thotë se do të balancohen interesi i publikut me konfidencialitetin e procedurës, në veçanti tek rastet me të mitur por sipas ligjit do japin qasje në informacionet me interes për palët dhe opinionin.
Në anën tjetër, me qëllim të sigurimit të punës cilësore për zgjidhjen e rasteve me komplekse si rastet e korrupsionit, krimeve ekonomike, drogave, fajdesë do të caktojnë 2 apo tre prokurorë- punë ekipore dhe se puna e tyre do përcillet për se afërmi.
Prendrecaj shton se do mbajnë kolegjiume të paktën dy herë në muaj për të diskutuar çdo rast të komplikuar dhe vendimet do t’i marrin bashkërisht për procedurat e mëtejshme. Sipas tij në këto kolegjiume do të diskutohen rezultatet pozitive dhe negative të prokurorëve në mënyrë që problemet të zgjidhen.
Në fund, kandidati për të parin e Prokurorisë së Mitrovicës thotë se do sigurohet që prokurorët të kryejnë punët sipas ligjit, duke respektuar etiken, orarin e punës profesionalizëm në përfaqësimin e lëndëve, do shikoj gatishmërinë për të zëvendësuar kolegët kur është e nevojshme, si dhe stafi të mbahet përgjegjës për efikasitetin, integritetin dhe përgjegjshmërinë.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK), në mbledhjen e 275-të mbajtur më 20 nëntor 2024, ka konfirmuar kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren. /BetimipërDrejtësi