Shqipëria i dhuron energji elektrike Kosovës për të ndihmuar situatën pas sulmit në Ibër Lepenc
Korporata Energjetike e Shqipërisë ka filluar që nga mëngjesi i sotëm të ofrojë sasi energjie për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të përballuar situatën e krijuar me njësitë prodhuese të energjisë në Kosovë.
Kjo u bë me dije nga e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një përgjigje për Albanian Post, pas një shpërthimi të fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
“KESH do të vazhdojë të mbështesë KEK deri në mbrëmje dhe, nëse do të ketë nevojë, do të ofrohet mbështetje edhe në ditët në vijim. Ky veprim është pjesë e angazhimit të dy korporatave për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, thuhet më tej në regimin për AP.
Çfarë ndodhi?
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Për këtë arsye, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – si asnjëherë më parë – mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnate duke njoftuar opinionin se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist e dashakeq” gjenezën e ka në Serbi.
Ai alarmoi opinioni publik se nëse dëmi në kanalin e ujit nuk riparohet “një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”.
“Disa qytete mund të mbesin pa ujë të pijshëm”, shtoi ai.
Ai vlerësoi se sulmi është kryer nga “profesionist” me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës.
“Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia”, shtoi ai.
Me këto sulme, sipas Kurtit, Serbia po synon të ndjellë frikë.
“Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, tha i pari i ekzekutivit.
Sipas tij, arsyeja pse Kosova po përballet me këto sulme është “suksesi i Kosovës”.
“Suksesi i Kosovës është duke i çmendur ata”, shtoi ai.
Gjatë konferencës Kurti potencoi se autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione për sulm të ri të mundshëm, por ka shtuar se shteti duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.
“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë”.
Se shpërthimi në Zubin Potok është “akt terrorist” e tha edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Osmani vlerësoi se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës”.
“Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”, potencoi ajo.
Osmani ftoi qytetarët “të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi” derisa institucionet po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë.
Për shpërthimin nga vendi i ngjarjes u deklarua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Duke e cilësuar incidentin si një “akt terrorist”, Sveçla nga Zubin Potoku konstatoi se në këtë rast është i përfshirë shteti i Serbisë.
Sveçla në një prononcim për media pranoi se Serbia ka arritur të fus sërish armatim në Kosovë, meqë deklaroi se shpërthimi ka ndodhur nga një eksploziv që ka ardhur nga Serbia.
“Nuk po flasim për armë të vogla, por po flasim për eksplozivë që nuk është e lehtë të gjendet në tregun e zi, kjo patjetër se vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë ai.
Ujësjellësi Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë, pas shpërthimit në Zubin Potok tha se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e Kosovës.
Në anën tjetër edhe komuniteti ndërkombëtar, të premten mbrëma, ka reaguar pas shpërthimit duke e dënuar sulmin në Ibër-Lepenc.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka dënuar fuqishëm sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës, ndërsa i ka shprehur mbështetje të plotë Qeverisë.
Edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka dënuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
Oravi ka kërkuar që ngjarja të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Hetim të shpejtë të rastit ka kërkuar edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Java e fundit e muajit nëntor ka regjistruar tri raste të ndryshme të shpërthimeve në katër komunat të banuara me shumicë serbe e të udhëhequra nga kryetarë shqiptarë, akte të cilat kanë rikthyer vëmendjen edhe njëherë në Veriun e trazuar.
Dy granata dore në oborrin e stacionit policor në Komunën e Zveçanit; Një granat dore në ndërtesën e Komunës së Zveçanit dhe një detonim i fortë në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut.
Ky është bilanci i shtatë ditëve të fundit, i cili nxiti edhe reagimin dhe mobilizimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të premten, njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në shkallë vendi përfshirë edhe Veriun e Kosovës, ku ditëve të fundit ka pasur, sipas Policisë së Kosovës, disa “sulme/incidente serioze kriminale”.
Rritja e masës së sigurisë në tërë vendin, sipas Policisë së Kosovës, ka për qëllim shtimin e sigurisë publike dhe parandalimin e “incidenteve të natyrave të ndryshme”.
Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore.
Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
Ndërkohë më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
As në këtë rast nuk u raportua për të lënduar.
Në vitet e fundit, në Veri të Kosovës janë regjistruar një sërë incidentesh nga hedhja e mjeteve shpërthyese deri te djegia e veturave.