Kurti për shpërthimin në Ibër-Lepencë: Rrezikohet që gjysma e Kosovës të mbesin pa rrymë dhe ujë që nga mëngjesi

Kurti për shpërthimin në Ibër-Lepencë: Rrezikohet që gjysma e Kosovës të mbesin pa rrymë dhe ujë që nga mëngjesi

Aktuale November 29, 2024 - 23:58

“Nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës mbesin pa energji elektrike që në mëngjes, disa qytete dhe gjysma e Prishtinës rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijshëm”, kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur sonte pas shpërthimit në kanalin e Ibër – Lepencit.

Kurti ka përmendur sulmet e fundit në veri, ndërsa tha se ky i sotmi ishte më i rëndi, transmeton Zeri.info.

“Vetëm ditëve të fundit sulme me granata dore në Zvecan, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes afër komunës së Zvecanit dhe sonte ishte akti më i rëndë ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit për nga ku furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë dhe KEK-u”, tha kreu i Qeverisë.

Kurti tha se Policia tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në kryerje të detyrës dhe se furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht.

Ai e cilësoi këtë sulm si kriminal dhe terroristë.

“Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar ta dëmtojë infrastrukturën tonë, kritike dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit me furnizim me ujë dhe energji elektrike”, tha Kurti, duke shtuar se organet shtetërore janë të angazhuara në situatë dhe rikuperimin e dëmit.

“Sulmi është kryer nga profesionistët që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia, e cila ka interesin për të shkaktuar sulme të tilla”,

“Nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës mbesin pa energji elektrike që në mëngjes, disa qytete dhe gjysma e Prishtinës rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijshëm”, tha Kurti në konferencën e jashtëzakonshme. /Zëri