Shpërthimi në Ibër-Lepencë rrezikon punën e fabrikës “NewCo Feronikel”
Dëmtimi i Kanalit Furnizues të Ujit të Ibër-Lepencit përveç KEK-ut, po rrezikon operacionalitetin e “NewCo Ferronikeli Complex LLC” në Drenas.
Kështu ka bërë të ditur vet kompania në një njoftim për media, ku thuhet se dëmtimi i kanalit të ujit, përbën një situatë shqetësiese, transmeton Zeri.info.
Njoftimi i plotë nga “NewCo Feronikel”:
Dëmtimi i Kanalit Furnizues të Ujit të Ibër-Lepencit Rrezikon Operacionalitetin e NewCo Ferronikeli Complex LLC
Dëmtimi i kanalit furnizues të ujit të Ibër-Lepencit përbën një situatë shqetësuese që rrezikon funksionimin e përgjithshëm të kompanisë NewCo Ferronikeli Complex LLC. Ky dëmtim ka ndikim të drejtpërdrejtë në infrastrukturën e furnizimit me ujë, duke rrezikuar funksionimin e sistemit të ftohjes së furrës elektrike – një element jetik për proceset tona prodhuese.
Nëse sanimi i dëmit nuk realizohet me shpejtësi, rezervat emergjente të ujit mund të harxhohen, duke detyruar ndaljen e operacioneve të furrës elektrike në mënyrë të paplanifikuar. Një skenar i tillë do të kishte pasoja të mëdha për kompaninë dhe proceset e saj industriale.
NewCo Ferronikeli Complex LLC ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar ndikimet negative dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Ibër-Lepencit për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate kritike.