Mehaj: Prioriteti ynë duhet të jetë forcimi i ushtrisë, policisë dhe agjencive të inteligjencës
Foto: Facebook

Mehaj: Prioriteti ynë duhet të jetë forcimi i ushtrisë, policisë dhe agjencive të inteligjencës

Aktuale November 23, 2024 - 17:17

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kërcënimet dhe deklaratat e Aleksandër Vuçiqit apo siç tha ai “çfarëdo Viqi” nuk meritojnë vëmendjen tonë.

Mehaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se prioriteti ynë duhet të jetë forcimi i ushtrisë, policisë dhe agjencive të inteligjencës.

“Kosova e fortë, rruga drejt NATO-s. Kërcënimet dhe deklaratat e Vuçiqit apo çfarëdo Viqi nuk meritojnë vëmendjen tonë. Nuk kemi kohë për të humbur me provokime. Përkundrazi, fokusi ynë duhet të jetë te populli ynë, te rinia jonë dhe tek edukimi i tyre mbi rëndësinë e sigurisë kombëtare”.

“Prioriteti ynë duhet të jetë forcimi i ushtrisë, policisë dhe agjencive të inteligjencës. Rruga drejt anëtarësimit në NATO mund të jetë e gjatë, por ne kemi forcën dhe vullnetin për ta realizuar këtë qëllim strategjik”.

“Personalisht, në dy vitet e ardhshme do të investoja 2 miliardë euro në përmirësimin e forcave tona të sigurisë. Një investim i tillë do të ndryshonte rrënjësisht situatën dhe do të siguronte që Kosova të jetë një shtet i qëndrueshëm dhe i fortë. Është fakt që Serbia, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut nuk ndryshojnë në thelb, por qasja e tyre ndryshon kur përballen me një shtet të fortë e të përgatitur”, ka shkruar Mehaj.

Tutje, ai u shpreh se armatimi modern që është blerë, tha se është rezultat i vizionit, strategjive dhe politikave që ka ndjekur gjatë ushtrimit të detyrës si ministër.

“Këto pajisje bashkëkohore është një hap i madh drejt fuqizimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Ndërsa shfaqja e tij e plotë në Kosovë mund të marrë kohë, pasi qe kemi ble shum. kjo është per krenarien e familjeve te dëshmorëve, invalidët, veteranët e UÇK-së dhe për të gjithë popullin e Kosovës”.

“E ardhmja jonë është në NATO. Ky është stacioni ynë i fundit dhe detyrimi përfundimtar për të përmbushur amanetin e dëshmorëve tanë. Kosova duhet dhe do të jetë pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë”, tha Mehaj.