Ish-kryenegociatori Stefanoviç: E papranueshme që Radoiçiqi është ende i lirë

Ish-kryenegociatori Stefanoviç: E papranueshme që Radoiçiqi është ende i lirë

Aktuale November 23, 2024 - 13:44

Ish-kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviç e ka cilësuar si “akt kriminal” sulmin terrorist të Banjskës që ndodhi vitin e kaluar. 

I pyetur nga A2 CNN nëse Milan Radoiçiç, që pranoi përgjegjësinë për sulmin, ka pasur mbështetjen e Aleksandër Vuçiç për këtë ngjarje, ai tha se të dy janë shumë të afërt.

Gjatë Konferencës së Sigurisë në Beograd, Stefanoviç tha se nuk ka asnjë mundësi që Radoiçiç të ekstradohet në Kosovë.

“Mendoj se ky akt është kriminal dhe nënkupton që zyra e prokurorit dhe gjykata duhet të veprojnë e të mbajnë prapra grilave të gjithë ata që janë përgjegjës. Këtë duhej ta kishim bërë dje, nëse më kuptoni çfarë dua të them. Ka zëra në Prishtinë që duhet ta ekstradohet por ju e dini se kjo është absolutisht e pamundur, prandaj duhet të tregojmë që jemi vend demokratik dhe ku sundon ligji, gjë që nuk jemi aktualisht nën këtë regjim. Vuciç dhe Radoiciç janë të afërt personalisht, politikisht, financiarisht. Është mister për mua që ky person ende është i lirë. Nuk mendoj që është e mirë dhe e pranueshme”, tha Borko Stefanoviç.

Stefanoviç e bëri përgjegjës presidentin serb Aleksandër Vuçiç edhe për dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës në nëntor të vitit 2022.

“Politikat tona janë që serbët nuk duhej të largoheshin nga institucionet në të cilat punonin. Ishim kundër, kemi qenë të zëshëm publikisht kundër këtij vendimi që u organizua nga Aleksandar Vuçiç, jo nga Beogradi, por nga Aleksandër Vuçiç. Ai i largoi serbët nga institucionet dhe kemi një katastrofë, për shkak të këtij vendimi”, shtoi ai.

Ish-kryenegociatori serb ka thënë se Beogradi asnjëherë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa kritikoi kryeministrin Albin Kurti se po shkel të drejtat e serbëve në veri.

Sipas tij, Kurti dhe Vuçiç nuk kanë asnjë interes që dialogu të përparojë.

“z. Kurti nuk ka asnjë shtytje për të bërë dicka sepse e sheh që asgjë nuk i ndodhë kur ai merr masa të papranueshme kundër serbëve në Kosovë, për Vuçiçin nuk ka po ashtu asnjë element shtytës dhe as interes sepse ai nuk do ta çojë Serbinë përpara drejt Bashkimit Europian. Kështu që i keni dy njerëz në pushtet që nuk kanë asnjë interes për të arritur asnjë marrëveshje mes palëve”, tha Borko Stefanoviç.

Stefanoviç tha se kusht kryesor për vijimin e dialogut duhet të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbë, ndërsa tha se mund të ketë negociata të frytshme vetëm pasi të ketë njerëz të rinj në pushtet.

“Pa Asociacionin nuk mendoj se ka vend për manovra, por edhe pas faktit se kemi disa njerëz të rinjë në Prishtinë dhe në Beograd, jam shumë i bindur se mund të arrijmë një marrëveshje që nuk do të dëmtojë asnjë pikë të interesave nacionale, tonat dhe tuajat. Sepse nuk bëhet fjalë për një luftë mes projekteve nacionale por jetëve të njerëzve”, deklaroi ish-negociatori.

Stefanoviç aktualisht është zëvendëskryetar i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë dhe tha se si opozitë janë kundër politikave të Aleksandër Vuçiç dhe Qeverisë aktuale serbe dhe se po angazhohen për të ndryshuar lidershipin serb por shtoi se për të ndodhur kjo duhet të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta. /A2 Televizion