Pacientët me kancer në gjak trajtohen në kushte të improvizuara në QKUK

Pacientët me kancer në gjak trajtohen në kushte të improvizuara në QKUK

Aktuale November 23, 2024 - 08:07

Në Klinikën e Hematologjisë në QKUK, pacientët që trajtohen për kancer në gjak, marrin terapi në një hapësirë të improvizuar, që shërbente si sallë mësimi për studentë.

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, këta pacientë përballen me kushte të papërshtatshme dhe shpesh presin deri në tetë orë për shërbim.

Vendi ku e marrin terapinë nuk është adekuat. Hapësira është e improvizuar pasi është e dedikuar për sallë mësimi për studentët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Kundrejt karriges, që ishim ulur në karirge, këtu shumë mirë. Në karrige prej që kam ardhur në mëngjes e deri tash, për ta marrë terapinë, në karirge ulur kam ndenjur. E tash nuk denim ku do ta merrnim terapinë, tani më sollën këtu”, thotë një paciente.

Në kushte të papërshtatshme, pacientët dhe shoqëruesit shpesh presin deri në tetë orë. Aty shkojnë pacientët nga e gjithë Kosova. Ky shërbim ofrohet vetëm në QKUK.

Bastri Murati dërgon aty rregullisht një familjar të tij.

“Ne vijmë prej Mitrovicës. Në pesë e gjysmë(zgjohemi) për të ardhur dhe zënë vendin. Po në qoftë se nuk vjen në orën shtatë ti nuk ke vend zakonisht”, thotë Murati.

Drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Afërdita Ukimeraj, thotë se kjo po ndodhë për shkak të mungesës së hapësirave.

E kemi adaptu një sallë poshtë për t’iu ofruar shërbim edhe gjatë kësaj periudhe të sëmurëve. Edhe, në atë sallë ka vazhduar dhënia e kemioterapisë edhe deri më sot. Gjithçka, fatkqësisht për shkak të mungesës së hapësirave.

QKUK është angazhuar për gjetjen e një hapësire të re, por kjo hapësirë, ndodhet në katin përdhes dhe ka mungesë ndriçimi.

Mesatarisht 100 persona në vit, diagnostifikohen me këtë sëmundje.

Një Klinikë e re e Hematoonkologjisë dhe nefrologjisë pritet të ndërtohet brenda dy vjetësh./REL