Komuna po e falimenton kompaninë “Pastrimi”, 900 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa të ardhura
Foto: Laura Hasani

Komuna po e falimenton kompaninë “Pastrimi”, 900 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa të ardhura

Aktuale November 22, 2024 - 11:07

Punëtorët e ndërmarrjes publike rajonale KRM “Pastrimi” janë duke protestuar sot kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e tenderit në vlerë prej 16.4 milionë eurove për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Sipas punëtorëve, ky tender ka për qëllim ta falimentojë kompaninë “Pastrimi”, e me këtë rrezikohen edhe 900 punëtorët e kompanisë të mbesin pa të ardhura, raporton Zeri.info.

Shpend Qosa, punëtor i “Pastrimit” dhe nënkryetar i sindikatës “Punëtori”, ka thënë për “Zërin” se Komuna duhet të anulojë urgjentisht tenderin 16-milionësh.

“I kisha kërku Komunës që të ndaloj tenderin 16 milionë, që i lë 900 familje pa të ardhura, pasi ky tender nuk është investim, por shërbim”, tha Qosa për Zeri.info.

Ai tha se Komuna po e falimenton një kompani, e cila është që nga viti 1957 kryen shërbime, derisa akuzoi se kjo po bëhet për interesa të disa individëve, duke përmendur drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.

“Komuna do të angazhojë kompani private për të falimentuar kompaninë ‘Pastrimi’, e cila është formuar prej vitit 1957 dhe shërben që atëherë. Nëse u jepet ky tender kompanive private, automatikisht falimenton kompania ‘Pastrimi’. Komuna e bën këtë vetëm për përfitime personale të disa individëve, siç është drejtori i Shërbimeve Publike”.

“Po kërkojmë të ndalet tenderi, blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve të rinj, të nënshkruajmë kontratën 10-vjeçare me kompaninë ‘Pastrimi’, pasi nëse bëhet kjo KFW-ja gjermane automatikisht investon 70 milionë euro në KPM ‘Pastrimi’. Komuna nuk po na ndihmon në këtë drejtim dhe po punon për interesa të tjera”, tha Qosa.

Ai paralajmëroi se protesta sot do të jetë e qetë, ndërsa nëse nuk ndërmerret diçka do të marrin masa të tjera në protestën e ardhshme. /Zëri

Image

Image

Image

Image

Image