Abdixhiku: Qeveria i ka bërë mësuesit të ndihen të nëpërkëmbur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë që mësuesit kosovarë të ndihen të nëpërkëmbur.
Ai ka postuar një video në profilin e tij në Facebook, duke ndarë rrëfimin e një mësueseje nga Fushë-Kosova.
“Ky është zëri i Diana Mehmetit, mësuese në Fushë-Kosovë e nënë e dy fëmijëve. Paga e saj është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet mujore të gjërave më bazike, ndërsa bashkëshorti i saj është detyruar të migrojë e të punojë jashtë vendit për ta mundësuar mirëqenien e familjes”, shkroi ai.
“Kjo është Kosova e kësaj qeverie – me mësues që ndihen të nëpërkëmbur dhe me familje të ndara, sepse duhet të bëjnë zgjidhje të dhimbshme për t’ua siguruar fëmijëve të ardhmen”, shkroi Abdixhiku.
Sipas tij, kjo gjendje s’mund të vazhdojë më. Abdixhiku ka ripërsëritur zotimin se pagat do të rriten qysh në javën e parë të Qeverisë të udhëhequr nga LDK-ja.
“Ndryshimi është i domosdoshëm! Është koha të ofrojmë një shtet e një qeveri që kujdeset për mësuesit e kujdeset për qytetarët e vendit. Koeficienti 150 – që në javën e parë – është zgjidhja! Vende pune e paga të dinjitetshme është përgjigjja ime dhe ekipit tim të Lidhjes Demokratike! Bëhu ndryshimi”, shkroi kryetari i LDK-së.