Buja për shumicën e pyetjeve në Hagë: S’mund të përgjigjem sepse më inkriminon

Buja për shumicën e pyetjeve në Hagë: S’mund të përgjigjem sepse më inkriminon

Aktuale November 04, 2024 - 11:11

Ndonëse pyetjet i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, Shukri Buja nuk përgjigjet në asnjërën prej pyetjeve të tij me arsyetimin se inkriminohet.

Madje ai tha se qëndron pranë asaj që kishte deklaruar kur u pyet se a i pranon garancitë sipas Rregullës 151 (3) që parasheh mosinkriminimin e dëshmitarit në ato që thotë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshiroj që të qëndroj pranë asaj që kam deklaruar në deklaratë”, tha Buja.

Fillimisht, kryegjyqtari e njoftoi Bujën se mund të bëjë kërkesë për pushimin e hetimeve, duke shtuar se sot është i detyruar për të dëshmuar.

“Ju jeni të ftuar për të dhënë dëshmi dhe ju jeni të detyruar për të dhënë dëshmi, jeni të detyruar që ta thoni të vërtetën dhe në qoftë se mendoni se mund ta inkriminoni vetën, atëherë e keni avokatin afër dhe ai mund të udhëzojë dhe ndihmojë me këshilla juridike sikur se ndodhi edhe sot”, tha kryegjyqtari.

Ai tha se në qoftë se e konsideron vetëinkriminuese, Buja ka të drejtën ligjore që të mos përgjigjet në ndonjë pyetje deri kur trupi gjykues e detyron që të përgjigjet në bazë të rregullës 151 (2) dhe ju jep garancitë sipas rregullës 151 (3)

Pace e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë nofkë. Buja tha se nuk mund të përgjigjet.

“Nuk mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti serish dëshmitarin se a ka qenë i njohur me nofkën “Gazetari”, pasi për të vazhduar me pyetje të tilla u lejua nga kryegjyqtari.

“Nuk mund ta konfirmoj sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti se a ka qenë i njohur me emrin “Sokoli” në ndonjë moment kohor.

“Nuk mund të përgjigjem”, tha serish Buja.

Ai tha se nuk mund të përgjigjet se inkriminohet edhe kur u pyet se çka ka qenë LPK-ja.

Dëshmitari tha se nuk mund të përgjigjet edhe kur u pyet se a ka qenë ndonjëherë anëtar i LPK-së.

Pas kësaj, ndërhyri kryegjyqtari duke thënë se në qoftë se nuk përgjigjet në pyetje ashtu siç është udhëzuar nga trupi gjykues, atëherë ndaj tij mund të merren masa.

“Dëshmitar unë ua rikujtoj edhe njëherë se mbas deklaratës solemne që e keni lexu pak përpara, jeni i detyruar që të thoni të vërteten sipas Rregullores dhe Ligjit iu këshilloheni dhe unë iu kam këshilluar tashmë që nuk ka nevojë t’i përgjigjeni një pyetje që është vetëinkrimunuese përveç se në qoftë se detyroheni që të përgjigjeni me garanci sipas rregullës 151 (3) që iu ofrohet. Ju kishit mundësi që ta diskutoni këtë me avokatin tuaj. Ju duhet ta keni të qartë se në qoftë se gjykata iu urdhëron që të përgjigjeni një pyetjes iu duhet t’i përmbaheni këtij detyrimi. Në qoftë se ju nuk iu përgjigjeni pyetjeve mbasi iu ka udhëzuar trupi gjykues që të përgjigjeni atëherë ndaj jush mund të merren masa”, tha kryegjyqtari.

Mbrojtja e të akuzuarve tha se nuk kanë asgjë për të shtuar.

Ndërsa, avokati i Bujës tha se në korrespodencat që kanë pas me ZPS-në ia kanë rikujtuar edhe njëherë atyre kërkesën për përfundimin e hetimeve për shkak të kohëzgjatjes së hetimit dhe se ndonëse është si dëshmitar, klienti i tij është si i dyshuar.

“Nuk mjaftojnë garancitë që janë sipas rregullës 151, ka edhe garanci të tjera që parashikon ligji e që janë përmendur kur është fjala për cilësinë e tij si i dyshuar dhe unë mendoj që ai ka të drejtën që të qëndroj në heshtje dhe të mos përgjigjet nëse nuk dëshiron që të përgjigjet. E kam të qartë se kjo është vendimi i tij dhe në çdo moment ai mund ta ndryshojë vendimin e tij”, tha Hodaj.

Bdërkaq, Pace tutje tregoi se pse dëshmia e këtij dëshmitari është e rëndësishme për këtë proces gjyqësor.

“Dëshmitari ishte komandant i zonës dhe i nënzonës dhe si i tillë është në gjendje që të jep dëshmi të drejtpërdrejtë për lidhjet, ndërveprimin e anëtarëve të UÇK-së, Shtabit të UÇK-së ku përfshihen dhe të akuzuarit”, tha Pace.