Aliu: Jo veç kompania e tij, por edhe vetë Radoiçiqi në listë të zezë
Foto: Laura Hasani

Aliu: Jo veç kompania e tij, por edhe vetë Radoiçiqi në listë të zezë

Aktuale October 03, 2024 - 14:09

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shpërndarë një vendim që Ministria e kishte marrë në vitin 2021 lidhur me kompaninë e Millan Radoiçiqit “RAD D.o.o” për ta hequr nga konzorciumi për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

Aliu ka thënë se përveçqë ia kanë shkëputur kontratat ku ka qenë në konzorcium me kompani të tjera, Ministria s’ka lidhur asnjë kontratë me kompaninë e Radoiçiqit.

“RIKUJTIM: Përveçqë nuk kemi lidhur asnjë kontratë me kompaninë e Radoiçiqit, ne ua kemi shkëputur edhe ato ku ajo ka qenë në konzorcium. Me neve në qeverisje jo veç kompania e tij, por edhe vetë Radoiçiqi është në listë zezë”, shkroi Aliu.

Ai tutje ka thënë se dikur Radoiçiqi endej lirshëm nëpër Prishtinë dhe ka qëndruar edhe në zyrë të kryeministrave, derisa sot s’shkon as në veri.

“Dikur ai endej lirshëm në Prishtinë dhe madje edhe zyrë të kryeministrave. Fitonte edhe tenderë. Tani nuk shkon dot as në veri”, shkroi Aliu.