Majko për sulmin në Banjskë: Serbia provoi të krijojë një Donbas serb në Kosovë
Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, ka thënë se lufta në Ukrainë ka pasur pasoja të shumta në Ballkanin Perëndimor.
Majko në konferencën e organizuar nga Institutit “OCTOPUS”, ka thënë se lufta ka nxitur ndjenjën nacionaliste dhe ka shtuar tensionet mes grupeve entike.
“Lufta në Ukrainë ka pasur ndikime të shumta dhe komplekse në Ballkan. Pushtimi rus i Ukrainës ka pasur pasoja në Ballkan duke ndikuar në politikën, ekonominë edhe sigyurinë e rajonit. Lufta ka nxitur ndjenjën nacionaliste në rajon duke rritur tensionet mes grupeve etnike dhe duke ndikuar në stabilitetin politik”, ka thënë Majko.
Majko ka shtuar se për shkak të luftës në Ukrainë vendet e Ballkanit janë detyruar ti rishikojnë politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë, duke u angazhuar më shumë me BE dhe NATO-n.
Ai ka shtuar se në Ballkanin Perëndimor disa vende kanë rritur distancën nga Moska, ndërsa disa të tjera janë përafruar me të.
“Aktualisht politika zyrtare serbe po e përdor marrëdhënien me Kosovën, për ta nxitur unitetin kombëtar, por kjo ka nxitur edhe ekstremizëm nacionalist. Ky ekstremizëm do të kthehet në rrezik edhe për vet shoqërinë serbe”, tha ish-kryeministri shqiptar.
Lidhur me agresionin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, Majko ka thënë se “Aksioni i dështuar në Banjskë, e vendosi Serbinë zyrtare në pozitë të vështirë. Ngjarja në Banjskë do të kërkoj mjaft angazhim për të provuar se ishte akt ilegal. Banjska nuk e fshehu aludimin se ajo ishte një tentativë serioze për të krijuar një Donbas serb në Kosovë”.
Majko tutje ka theksuar se situata në Ukrainë ka nxitur edhe rritje të dezinfiormimit dhe propagandës me ndikime nga Rusia. /Telegrafi