Ministria e Mbrojtjes: Ushqimi i ushtarëve u përgatit nga kuzhinierët e mensës dhe burgjeve
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se ushqimi për pjesëtarët e FSK-së është duke vazhduar pa ndryshime, pavarësisht se po përgatitet nga kuzhinierë të huazuar për një periudhë të shkurtër.
Sipas Ministrisë, të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së po funksionojnë si zakonisht, duke shërbyer shujtat ditore të zakonshme.
Sipas njoftimit të Ministrisë, ushqimi aktualisht po përgatitet nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër. Pjesëtarëve të FSK-së janë duke iu shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore, si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet nga ana e Ministrisë.
Sipas tyre, kjo është një masë e përkohshme, e cila do të zgjasë deri në rekrutimin e stafit profesional për kuzhinat e FSK-së.
“Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinierëve sa më parë të vendosim vetëqëndrueshmëri dhe mosvarësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit, si dhe nga operatorët ekonomikë të paktë në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm”, thuhet në reagimin nga Ministria e Mbrojtjes.